Taksa

Rindërtimi, Qeveria propozon heqjen e taksës së infrastrukturës për biznesin

Kur po mbushet thuajse një vit nga tërmeti i 26 nëntorit, Qeveria propozon që bizneset e dëmtuara prej tij të mos e paguajnë taksën e ndikimit në infrastrukturë për rindërtimin e objekteve ku kanë ushtruar aktivitetin. Propozimi i bërë nga Ministria e Financave është miratuar këtë të martë në Komisionin e Ekonomisë.

Ndryshimet prekin nenin 27 të ligjit për sistemin e taksave vendore. Sipas formulimit të ri të propozuar nga Ministria e Financave, nga pika nëntë e këtij neni hiqet togfjalëshi që përjashton nga taksa e ndërtimit vetëm objektet për qëllime banimi, duke nënkuptuar se nga kjo taksë do të përjashtohet çdo objekt që do të rindërtohet, apo restaurohet pas një fatkeqësie natyrore.

Kjo ndërhyrje nuk ishte parashikuar në projekt/ligjin fillestar të dorëzuar në Kuvend nga Ministria e Financave në fillim të muajit shkurt. Por, ato u propozuan në mbledhjen online të Komisionit të Ekonomisë nga zv.Ministrja e Financave, Vasilika Vjero.

Ndërkohë, deputetja Edlira Hyseni, që abstenoi, ngriti shqetësimin se pas këtij propozimi mund të përfitojnë jo vetëm bizneset e goditura nga tërmeti, por edhe ndërtuesit që e kanë si burim fitimi.

“Do të kërkoja më shumë kohë për të kuptuar qëllimin dhe si është menduar thellësisht. Do parë me kujdes se kush përfiton. Ka një bum ndërtimesh në Tiranë dhe Durrës. Nuk jemi vetëm duke rindërtuar, por jemi edhe duke ndërtuar”, deklaroi ajo.

Ajo kërkoi që të përcaktohen qartë objektet e bizneseve të dëmtuara.

“Nuk jam dakord që ky ndryshim të bëhet sot dhe të futet në rend dite pa asnjë informacion paraprak”, tha Hyseni.

Taksa e ndikimit në infrastrukturë paguhet nga ndërtuesi para se të fillojë punimet. Ajo përcaktohet nga pushteti vendor dhe ndryshon nga qyteti në qytet, me prirjen për rritje në zonat urbane, si në Tiranë, ku varion në bazë të zonave të ndërtimit nga 4 deri në 8 për qind e çmimit të shitjes për metër/katror.

Po në këtë mbledhje, Komisioni i Ekonomisë miratoi edhe ndryshimet e tjera që zerojnë tatimin e thjeshtuar mbi fitimin e biznesit të vogël. Nga kjo përfitojnë bizneset me xhiro vjetor deri në 80 mln lek.

Në lidhje me tatimin e thjeshtuar të fitimit të biznesit të vogël, Ministria e Financave propozon që ajo të hyjë në fuqi më 1 janar, ndërkohë që për heqjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë kërkon hyrjen e saj në fuqi menjëherë.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë