Qeveria synon që të gjithë banorët e dëmtuar nga tërmeti, që aktualisht janë të strehuar nëpër hotele, çadra apo mjedise të tjera publike e private, t’i zhvendosë brenda një afati të shkurtër kohorë nëpër shtëpi me qira.
Në mbledhjen e kësaj të premteje, Kryeministri Edi Rama ndau porositë për ministrat e tij, para se vetë të nisjes në drejtim të Sllovakisë, për marrjen e kryesimit të OSBE-së nga ana e Shqipërisë. Për Tiranën, procesin e strehimit të banorëve, ai ja besoi ministres Ogerta Manastirliu, pavarësisht se procesin e ka në dorë drejtpërdrejtë Bashkia kryeqytetit.
“100 për qind e qirasë për një vit për ata që nuk kanë strehë. 65 për qind e njerëzve në nevojë për strehim hyjnë në ditët në vijim në shtëpitë me qira. Ky proces Ogerta duhet ndjekur nga ti, pavarësisht se Bashkia Tiranë e ka përgjegjësinë direkte. Thjeshtë një sy nga ana e qeverisë është i nevojshëm.
Nga kjo nuk do të përfitojnë vetëm të prekurit e tërmetit të 26 nëntorit, por edhe ata të tërmetit të 21 shtatorit, që ende nuk ishin strehuar, ndërsa për ata që janë në fshat dhe duan ta rindërtojnë vetë shtëpinë e tyre, propozoi një skemë financimi me shuma mesatare 20 mln lek të vjetra.
Këtë zgjidhje, Rama e sheh si mekanizëm për të mos humbur kohë, por thotë se ndërtesat e reja do të mbikëqyren në mënyrë që të garantojnë të gjitha parametrat.
Në zonën e Kombinatit, Rama la porosi që veç pallateve që janë dëmtuar dhe shpallur të pabanueshëm, të rishikohen edhe pallatet tjera të ndërtuara para viteve ’90. Rama tha se në Tiranë dhe Durrës është gati fillimi i procesit të riparimit të godinave që nuk kanë dëmtime strukturore. Ai kërkoi unifikim të procedurave dhe dhënie e lejes për nisjen e punëve brenda 24 orëve nga kompanitë private, ndërsa mbikëqyrja e punimeve porositi që të bëhet nga Qeveria.
“Në Tiranë dhe Durrës është gati të fillojë procesi i meremetimeve. Në Durrës janë gati 12 kompani për të riparuar pallatet e tyre. Unifikoni procedurën me Tiranën, për 24 orë të jepet leja, por plani i supervizionimit të jetë i joni”, deklaroi Rama.
Kryeministri foli për një plan gjigant rindërtimi për të cilin nuk përjashtoi që nenvoja për të siguruar krahun e punës të përfshijë edhe shtetas të huaj. Sa u takon hetimeve, Rama thotë se janë skeduar 60 firma ndërtimi në qytetin bregdetar.
“Ky program kërkon një fuqi punëtore të madhe. Ne kemi një problem me fuqinë punëtore, ndaj të marrim edhe nga jashtë. Duhen mijëra njerëz që do të përfshihen në punë. Ne e kemi bërë gati projektligjin për fuqinë punëtore, ndaj në seancën e datës 19 ta kalojmë në Parlament, që e kemi bërë gati që në tetor për aksesin e fuqisë punëtore nga jashtë”, u shpreh ai.
Një tjetër nismë e njoftuar është edhe hartimi i një ligji për rindërtimin në raste të tilla. Kryeministri tha se me procedura normale është i pamundur rindërtimi, ndaj kërkoi që të hartohet një ligj i posaçëm që do të koordinohet nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit. Edhe këtë nismë, si afat kohor Rama la datën 19 dhjetor.
Por, tërmeti dhe pasojat e tij nuk ishin të vetmet tema të trajtuara nga Kryeministri Rama. Ai foli edhe për ligjin antishpifje, një draft i qortuar nga shoqatat e gazetarëve si projekt që cenon lirinë e shprehjes.
“Në seancën e 19 Dhjetorit duhet të përcaktojnë një klauzolë në ligjin antishpifje, që besoj do të hyjë në 19 Dhjetor. Shpifja në gjendjen e jashtëzakonshme është e dënueshme, duhet të jetë e super dënueshme në raste emergjencash. Lajmet e rreme dhe lodrat mediatike si kjo që kaluam janë kriminale”, tha Rama.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.