Politike

Basha: Fondi i qeverisë, i pamjaftueshëm, duhet vlerësim dhe buxhet i qartë

Kryedemokrati Lulzim Basha e cilëson si të pamjaftueshëm fondin e akorduar nga ana qeverisë që parashikon dhënien në dorë të një shume si pagesë mujore. Nga Durrësi, kryedemokrati Lulzim Basha theksoi se koha nuk pret dhe se duhet një vlerësim dhe buxhet i qartë nga ana e qeverisë. “Natyrisht që duhet bërë vlerësimi i dëmit. Shuma që është caktuar prej 2 milionë lekësh të reja, mund të jetë një shumë minimale, në disa raste mund të ketë nevojë për shumë edhe më të mëdha, prandaj është e domosdoshme tani, në përputhje me pushtetet që jep akti i fatkeqësive natyrore, që qeveria të caktojë një buxhet të qartë. Prandaj insistojmë për zhvendosjen e menjëhershme të 150 milionë dollarëve të 10 oligarkëve në funksion të emergjencës dhe procesit të riparimit apo ndërtimit të banesave të dëmtuara. Është një hap i parë që kanë pranuar këtë sugjerim që në fakt e kam dhënë nga terreni, kryesisht nga zonat rurale, por është i pamjaftueshëm nëse nuk shoqërohet me fondet e nevojshme dhe nëse nuk veprohet shpejt”, deklaroi Basha.

Kreu i PD-së, Basha gjatë takimit në Durrës. Gazeta Si, 6 dhjetor 2019


Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u takua në Durrës me disa banorë të një prej kompleksve më të mëdha të dëmtuar, por që akoma nuk ka një vlerësim përfundimtar, nëse duhet shembur apo jo. Në kompleksin 12 katësh jetojnë rreth 1 mijë banorë, të cilët kanë si shqetësim kryesor zvarritjen e vendimmarrjes dhe mungesën e vëmendjes shtetërore. Duke iu përgjigjur kërkesës së tyre për ndihmë, zoti Basha tha se rruga më e mirë për t’i ndihmuar banorët është rritja e numrit të inxhinierëve vlerësues. “Ajo që po kërkojmë ne është të rritet numri i vlerësuesve, por që të jenë të çertifikuar nga shteti, pasi kjo nuk është punë partish. Problemi kryesor që shoh është se, duke mos patur vlerësime, njerëzit, ndjehen të pasigurt, të paqetë, se edhe po qe lajm i keq, njeriu e ndan mendjen”
“Ajo që tani kemi në dorë është të sjellim sa më shumë vëmendje tek ju”- iu përgjigj Basha banorëve të revoltuar nga mungesa e vëmendjes shtetërore.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë