Ekspozite

‘Rikthimi’ në Gjirokastër i piktorit Bashkim Ahmeti

Piktori shqiptar Bashkim Ahmeti e ndan jetën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë duke qenë aktiv me krijimtarinë e tij dhe paraqitjen në eskpozita të ndryshme brenda dhe jashtë vendit. Në qytetin e tij të lindjes në Gjirokastër ai ka pikturuar disa fasada murale që i shpëtuan kontrollit të propagandës gjatë regjimit komunist të Shqipërisë dhe pret t`u ritkhehet për t'i përfunduar. Në një intervistë për Zërin e Amerikës, zoti Ahmeti flet për motivet e pikturave, ndikimin nga natyra dhe historia shqiptare, vepra e Ismail Kadaresë, por edhe nga jeta e Nju Jorkut.

Në maternitetin e Gjirokastrës në hollin ku qëndronin nënat në pritjen e ëmbël disa piktura murale patën një fat të çuditshëm gjatë regjimit komunist.

Ato u ndërprenë në mes nga komisionet e propagandës së kohës dhe u urdhëruan të lyheshin me bojë dhe vetëm një ndërhyrje e një zyrtareje të kohës i shpëtoi.

Piktori Bashkim Ahmeti, autori i këtyre pikturave tek kujton këto ngjarje thotë se do t'u rikthehet për t'i përfunduar dhe për t'ia lënë qytetit këto vepra të tij.

“Kur u ndërtua materniteti i ri i Gjirokastrës ishte parashikuar në sallën e prijes së nënave një triptik mural. Atje nuk e kapërcyem dot provimin, erdhën komisione, grupime, madje edhe në mungesën tonë dhe u mor vendimi të ndërpriteshin pikturat dhe ato nuk mundën të realizoheshin plotësisht. Megjithatë ishte një ndërhyrje e Rashide Gjinit, sekretare për propagandën, e cila zbriti atje tek materniteti pasi kaluan komisionet dhe tha me urtësi që të mos lyheshin me bojë, sepse urdhëri ishte të lyheshin, por të mbuloheshin më një tabelë emulacioni, sic ishte në stilin e kohës së atëhershme ku ekspozoheshin fotografi, citate, punëtorë të dalluar. U mbuluan me atë tabelën dhe të paktën shpëtuan dhe tani janë hapur. Verën e kaluar ishim atje, i pamë dhe do të gjejmë mënyrën që ta mbarojmë atë afresk që ka ngelur përgjysëm. Ai është i ruajtur, pak i dëmtuar, por është i riparueshëm. Unë nuk kisha hyrë atje prej vitesh, nuk kisha zemër të shkoja", tregon ai për Zërin e Amerikës.

Bashkimi është autor edhe i disa pikturave murale në hollin e ish hotel turizmit të qytetit ku edhe për të cilat pati presione, por që u arrit të përfundonin.

"Në turizmin e Gjirokastrës menduam të punonim një afresk, por edhe këtu patëm shumë peripeci, shumë njerëz vinin dhe reagonin, edhe presione verbale pata per punën. Në një moment e humba besimin dhe mendova ti lë në mes, por u arrit të mbaronin me sukses dhe u kapërcye situata komplekse. Ishin kohë të ngatërruara që nuk i shpjegon dot arsyet se pse duhet të kishte probleme me një pikturë si kjo që është një skenë rinore që është pikturuar me stilin e pikturës realiste"

Zoti Ahmeti thotë se Gjirokastra e ka kapërcyer tashmë tranzicionin e vështirë dhe do t`i përballojë edhe sfidat që e presin.

“Gjirokastra ka marrë një gjallëri dhe e ka kapërcyer periudhën e krizës që kishte, periudhën e rrezikut dhe ka hyrë në një epokë të re, e cila ka edhe ajo rreziqet e saj. Ka rrezikun që Gjirokastra nga një vend monumental dhe muzeal të kthehet në një vend i zbukuruar me “lajle-lule” turistike gjë që nuk është e mirë, nuk është në natyrën e saj. Bukuria e Gjirokastrës është monumentaliteti, madhështia dhe një pamje fisnikërie që ka”, thotë ai.

Gjirokastrës, thotë më tej zoti Ahmeti, i duhen muzeume që ta shfaqë të kaluarën e saj edhe të sotmen, i duhet edhe rinia, ajo që është këtu, që të mund t`i shprehë talentet dhe dhuntitë.

“Kriza e shpopullimit që është për të gjithë Shqipërinë, besoj edhe këtë do ta mbijetojnë si Shqipëria edhe Gjirokastra", thotë ai.

Piktori Bashkim Ahmeti e ndan sot jetën mes Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Shqipërisë duke qenë mjaft akiv në krijimtarinë e tij dhe ekspozita të ndryshme.

“Jam vazhdimisht në aktivitet, nuk është se e kam ulur intesitetin e punës. Hap ekspozita personale, marr pjesë në ekspozita në grup, vitin e kaluar kam marrë pjesë në aktivitete më të mëdha si në “Nju Jork EXPO” apo aktivitete të tjera. Këtë vit shpresoj të jem më i pranishëm në Shqipëri, të bëj një ekspozitë si këtu në Gjirokastër dhe në Tiranë, mbase do realizoj në Gjirokastër ndonjë murale krahas asaj të Maternitetit, kam disa ide që tani”.

I pyetur për veprën e tij krijuese zoti Ahmeti thotë se piktuara e tij nuk ka ndryshuar.

“Bukuria e Shqipërisë dhe historia e saj, këto janë gjërat që më kanë magjepsur kur isha i vogël dhe këto janë gjërat që më shtijnë në mendime edhe tani. Sigurisht natyra është një frymëzim i madh dhe Shqipëria është një bukuri e madhe. Unë mendoj se bukuria, peisazhi dhe natyra luajnë rol edhe në ndërtimin e personalitetit e një vendi, të një kombi, të një rrace. Kështu bukuritë e natyrës kanë hyrë në genet e shqiptarëve dhe ne e kemi të ëvshtrië të jetojmë pa këtë natyrë. Unë jetoj në Nju Xhersi që është një vend me bukuri të mëdha, Nju Jorku është i jashtëzakonshëm , por bukuritë e natyrës së këtushme të hyjnë në gen në ndërgjegje dhe gjithmonë të mungojnë. Historia jonë është gjithashtu frymëzuese. Të gjithë popujt mburren dhe janë krenarë për historinë e tyre, por jo pa të drejtë, ne, edhe më shumë, kemi arsye t`i përkushtohemi dhe të mburremi me historinë e mbijetesës sonë si komb dhe si shoqëri.”

Piktori Bashkim Ahmeti flet edhe për një prirje të vecantë të pikturës së tij tek vepra letrare e shkrimtarit të shquar Ismail Kadare.

“Ishte një dëshirë e imja e cila më hëngri shumë kohë të pikturoj portretin e tij dhe nga portreti dola në shumë tablo dhe frymëzime të tjera që vijnë nga vepra e tij, plus që në mënyrë të natyrshme Ismail Kadareja ka luajtur një rol në formimin kulturor dhe artistik të brezit tim. Pastaj erdhën ekspozitat dhe u bë edhe vepra e plotë letrare e Kadaresë, që u botua tani dhe atje u përfshinë 14 nga tablotë e mija rreth tij si faqe të para dhe të pasme te ketyre botimeve. Vepra e Kadaresë u kthye në një farë mënyre në një pjesë të artit tim. Ashtu si duke pikturuar Nju Jorkun për një kohë të gjatë, duke u marrë me të edhe ajo është kthyer në një nga motivet kryesore të krijimtarisë sime”.

Bashkim Ahmeti që mban tashmë firmën e artit Izano këtë vit shënon 75 vjetorin e lindjes dhe ndonëse prej vitti 1995 punon si artist i lirë në Nju Jork vepra e tij mbetet e lidhur pazgjidhmërisht me Shqipërinë dhe qytetin e tij të lindjes Gjirokastrën. (VOA)


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë