Njerez

Rikthimi i shqiptareve të ISIS-it!

Riatdhesimi i 110 shqiptarëve u nga Siria në Kosovë ka lumturuar shumë prej familjarëve të tyre, por edhe ka rihapur një plagë të madhe për Prishtinën. Pas euforisë së pakuptueshme për t’u bashkuar me ISIS-in, shumica janë kthyer të tronditur, pa bashkoshortët ose fëmijët dhe më të pashpresë së kurrë.

Shumë prej shqiptarëve të Kosovës, morën me vete dhe familjet duke i ekspozuar, edhe më shumë ndaj dhunës dhe masakrave të xhihadistëve të ISIS-it. Mediat në Prishtinë shkruajnë se 74 e riatdhesuarve janë fëmijë, 32 janë gra dhe katër janë burra. Nëntë fëmijë u kthyen pa prindër sepse këta të fundit ishin vrarë gjatë luftimeve në Lindjen e Mesme.

Prokurorja Speciale Syle Hoxha ka njoftuar se Gjykata e Prishtinës vendosi arrestimin të gjitha grave, duke marrë parasysh se kanë familje dhe fëmijë për t'u kujdesur. Të gjithë ato jetojnë tashmë në shtëpitë e të afërmve. Të tre meshkuj e kthyer, Arijanit Kryeziu, Visar Qukovci, Agon Misini, plus një i mitur u arrestuan menjëherë nga policia dhe u dërguan në burgun e sigurisë së lartë në Dyz.

Të paktën 400 qytetarë nga Kosova kryesisht myslimane përfunduan në zonat e konfliktit në Siri dhe Irak. Sipas të dhënave, 80 humbën jetën atje. Por cilat janë historitë e disa prej të rinjve dhe të rejave shqiptare që zgjodhën të luftojnë krah ISIS-it dhe çfarë i çoi drejt këtij vendimi?
Laura Hyseni ishte një adoleshente tipike, dilte me shoqet nëpër kafene dhe bare dhe nuk i shkaktonte shumë telashe prindërve të saj.

“Vishej njësoj si moshataret e saj, në disa raste me minifunde apo me xhinse. Ajo qe shumë moderne”, thotë Faik Uksmajli, vjehrri i saj, i ulur në një karrige druri në ballkonin e tij në Ferizaj.

Uksmajli tregon se djali i tij Arbnori, bashkëshorti i Laurës dhe djali i tij më i vogël, Alberti, ishin të shoqërueshëm dhe mendjehapur njësoj si Laura, vitin e kaluar.

“Brenda vetëm pak muajsh, hoxha i fshatit dhe bashkëshortja e tij i bënë shpëlarje truri”, thotë ai.

Ata u bënë myslimanë dhe u shkëputën nga miqtë e tyre. Arbnori rriti mjekrën, veshi pantallona treçerekëshe, një simbol për disa fundamentalistë, dhe fliste vazhdimisht për Sirisë.

Laura, 22 vjeçe dhe tashmë nënë e dy fëmijëve, u vesh me ferexheje të zezë nga koka deri te këmbët, ishte mbyllur në dhomën e saj dhe rrallë fliste me të tjerët.

“Krejt papritur ajo filloi të refuzojë t’ua japë dorën të afërmve”, thotë Uksmajli. “Unë nuk i njihja dot fëmijët e mi. Ata flisnin për të ndihmuar vëllezërit e tyre në Siri dhe thanë se myslimanët e vërtetë jepnin gjithçka për fenë. Por unë u shqetësova më shumë kur ata thanë se Kampi ‘Bonstill’ duhej të bombardohej”, tregon ai. “U përpoqa t’ua shpjegoj fëmijëve të mi se Amerika e ka ndihmuar Kosovën”, shton ai. “Por shpejt e kuptova se ata po planifikonin të shkonin në Siri”.

I dëshpëruar për t’i ndaluar, shkoi në stacionin e Policisë

“U kërkova dhjetëra herë atyre t’u konfiskonin pasaportat por ata nuk bënë asgjë. Fëmijët e mi arritën të shkonin me aeroplan nga Prishtina për në Turqi dhe pastaj të kalonin pa problem kufirin për në Siri në gusht të vitit 2014”, rrëfen ai.

Faik Uksmajli

Laura ishte vetëm një nga adoleshentet shqiptare që iu bashkua Shtetit Islamik në Siri dhe Irak. Disa ndjekin bashkëshortët me të cilët shpesh ndajnë mendime radikale, por të tjera kanë ikur vetëm, për t’u riatdhetarizuar tanimë në Kosovë.

Shumë nga historitë e tyre janë të ngjashme me ato të vendeve të tjera perëndimore, rebelim ndaj prindërve me mendime të kundërta, indoktrimin nga udhëheqës fetarë jashtë rrymave kryesore dhe radikalizim nga interneti.

Pas fundit të luftës organizatat fetare nga vendet arabe kanë krijuar një prani të madhe, duke ofruar kurse anglishteje, krahas mësimeve të Kuranit. Shumë të rinj kanë marrë bursa për t’u përgatitur si imamë në Arabi Saudite, Egjipt dhe vende të tjera.

Kosova është një nga vendet më të varfra në Europë me normë papunësie mbi një të tretën, por Faik Uksmajli thotë se varfëria nuk ka të bëjë me rastin e familjes së tij. Ai thotë se nuk ka dyshim se djemtë dhe nusja e djalit të tij u radikalizuan nga hoxha i fshatit, Nehar Hyseni, dhe bashkëshortja e tij.

Uksmajli thotë se pasi fëmijët e tij e kontaktuan për t’i treguar se tashmë kishin shkuar në zonat ku ishte vendosur ISIS-i, ai shiti biznesin e tij për të mbledhur paratë për udhëtimin deri në Siri në përpjekje për t’i kthyer fëmijët në shtëpi.


Qamile Tahiri

Ai shpenzoi 30 mijë euro, më së shumti për ndërmjetës, për të hyrë në territorin e ISIS-it duke udhëtuar përmes Turqisë lindore për në Mosul, në Irakun e veriut dhe pastaj duke kërkuar gjurmët e tyre deri në Alepo të Sirisë, përgjatë një rruge, ku ai pa shtëpi të djegura dhe trupa të pavarrosur në rrugë. Por ai nuk mori leje për fazën e fundit, për të mbërritur te kampi i militantëve ku supozohej të ishte familja e tij.

“ISIS nuk më lejoi të hyj pranë zonës së luftës. Unë nuk ia dola të gjej fëmijët e mi”, thotë ai.
Kur u kthye në shtëpi ai mori lajmin e keq nga Laura, me të cilën kontaktonte në internet. Arbnori ishte vrarë nga një bombardim ajror në Irak, në të cilin djali tjetër i tij, Alberti, ishte plagosur rëndë.

Udhëheqësja shqiptaree kampit të grave të ISIS-it

Qamile Tahiri shkoi në Siri me bashkëshortin e saj, por që nga ajo kohë ka gjetur rolin e vet pranë Shtetit Islamik. Fotografitë e publikuara nga mediat në Prishtinë tregonin 23-vjeçaren të veshur me të zeza duke tundur një automatik në frontin e luftës në Siri.

Sipas tyre, në kampin që ajo drejtonte kishte dhjetëra gra dhe vajza nga Kosova, Shqipëria dhe Maqedonia. Nëna e dy fëmijëve u rrit nga një zonë pranë Mitrovicës.

Postimet e saj në “Facebook” përfshijnë fotografi të sajat e armatosur krahas bashkëshortit Besimit, për të cilin Policia thotë se mund të jetë vrarë në luftime. Pas vdekjes së tij, ajo vendosi të qëndrojë krah terroristëve të Shtetit Islamik.

Shoqet e saj të fëmijërisë nuk pranuan të flasin, duke thënë se nuk kishin dëshirë ta mërzitin babanë e saj, të cilin e njihnin prej vitesh.

Zbulimi i vajzave të reja që iu bashkuan ISIS-it apo grupimeve të tjera radikale në Siri kanë tronditur shumë persona në Kosovë. Shumica e prindërve të tyre thonë se nuk e dinin qëllimin dhe se janë të tmerruar.

Njësoj si meshkujt, këto gra duket janë ndikuar përmes leksioneve të drejtpërdrejta të imamëve apo materialeve të publikuara në internet.

Ilir Ajdini

Shqipja kthehet nga ISIS-i në shtëpi

Nga ish-shtëpia e Laurës, 30 kilometra më në lindje, gjendet Gjilani, ku banon Shqipe Ajdini, një nga të paktat gra që janë kthyer nga Siria në vitin 2016.

32-vjeçarja nuk pranoi të fliste për mediat në Kosovë, por babai i saj, Iljaz Ajdini ndau me të gjtihë historinë e saj, megjithëse ai dukshëm është në siklet dhe i shqetësuar.

“Ne u jemi mirënjohës Shteteve të Bashkuara për atë që kanë bërë për ne”, thotë ai. “Unë nuk e di çfarë ndodhi me këtë gjeneratë, me fëmijët tanë. Ajo filloi të veshë ferexhe. Unë i thashë, nëse do të vishesh kështu, unë as nuk do të dal në rrugë me ty,” thotë ai, duke rikujtuar se si ndryshoi e bija pas martesës disa vite më parë me bashkëshortin Sinan Mujin, me të cilin u arratis në Siri.
“Ata deshën t’i nxirrnin pasaportën vajzës së tyre dhe kur unë i pyeta se pse i duhej, më thanë se po shkonin në Mal të Zi për ca punë. Nuk më morën në telefon për një javë, pastaj telefonuan dhe më thanë se kishin shkuar në Siri”, thotë ai.

Dy vite më vonë ajo u kthye në shtëpi, pasi bashkëshorti i saj u vra duke luftuar për ISIS-in.

“Jam i lumtur që vajza ime është kthyer, vetëm për shkak të mbesës. Bashkëshorti i vajzës sime mori atë çfarë merionte” thotë babai i shtatë fëmijëve.
Ajo ishte me shumë fat që ia doli të kthehej. Ndryshe nga shumë të tjerë që mbërrijnë atje, ajo nuk ia dorëzoi pasaportën e saj zyrtarëve të “Shtetit Islamik”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë