Libra

Rikthimi i Panairit të Librit, botimet që pritet të marrin vëmendjen dhe frika e pjesëmarrjes

Panairi i 24-të i Librit do t’i kthehet formës tradicionale pas një viti ku për shkak të pandemisë mungoi ekspozimi i librave.

Nga data 17 deri më 21 nëntor te Pallati i Kongreseve në Tiranë nobelistë e autorë që kanë bërë historinë e letërsisë, autorë të traditës shqiptare dhe të rinj, prozë e poezi të përkthyera nga gjuhë e kultura të tjera do të ofrojnë nga stenda në stendë, qindra botë e jetë përmes faqeve të librave.  

Ajo që botuesit pohojnë njëzëri është se ky panair është një ngjarje e shumëpritur pas një viti pauzë, jo vetëm për ta, por edhe për autorët dhe lexuesit, të cilët do të kenë mundësinë e bashkëkomunikimit.

“Panairi i 24-t i Librit në Tiranë është një ngjarje e shumëpritur. Duke çmuar si shumë të rëndësishëm kontaktin e drejtpërdrejtë me lexuesin, kemi një program të ngjeshur me aktivitete promovuese gjatë të gjitha ditëve të panairit. Kemi bërë të mundur ardhjen në këtë Panair të dy shkrimtarëve të huaj: shkrimtari italian Nicola Lagioia për romanin ‘Egërsia’ (fitues i çmimit letrar Strega, 2015) dhe Lili Mavrokefalou, autore e romanit ‘E zjarrit dhe e vetmisë’. Veç promovimeve, nisim gjatë ditëve të këtij panairi një traditë shumë të bukur, të edukimit me leximin”, shprehet për Gazetasi.al drejtoresha e Botimeve Toena, Irena Toçi.

Drejtuesja e Botimeve Toena, Irena Toçi

Pas një viti ku mungoi kontakti me lexuesit e vegjël dhe ata të rritur, për Rita Petron nga Botimet ALBAS, panairi i këtij viti është edhe një mënyrë e mirë për të shpalosur punën e tyre.

“Vjet nuk e gëzuam dot për shkak të pandemisë; humbëm njerëz të dashur, ne si Albas humbëm presidentin e kompanisë, Latif Ajrullain vetëm pak ditë para panairit. Sivjet jemi të gëzuar që do të mund të kemi stendën tonë në panair dhe, ndonëse në kushte sigurie, e rëndësishme është që do të kemi mundësi të shpalosim punën tonë, veprat e reja dhe disa autorë e përkthyes që do të jenë të pranishëm në stendën ALBAS gjatë ditëve të panairit”, shprehet Petro për Gazetasi.al.

Duke e pranuar që panairi online i një viti më parë, nuk pati impaktin që ka kjo festë e librit në përgjithësi, botuesja Arlinda Dudaj shpreson që rikthimi i panairit të shënjojë jetën kulturore të vendit. 

“Shpresoj që ky panair të kthejë në normalitet një moment të rëndësishëm. Vjet u bë, por nuk pati kurrsesi nuk pati impaktin që ka panairi në përgjithësi. Botuesit shqiptarë botojnë libra fizikë, kështu që një panair fizik i afrohet më shumë realitetit. Pretendohet të kemi një lloj rritjeje qoftë të shitjeve, por edhe të sjelljes së librave të rinj”, shprehet Arlinda Dudaj.

Rita Petro nga Botimet ALBAS

“Besoj që ky panair, edhe më fort se të tjerët, do ta dëshmojë afrinë e shqiptarëve me fjalën e shkruar dhe librin si institucion që përtej trendeve e vështirësive të kohës, ruan pozitat e tij”, shprehet për Gazetasi.al drejtoresha e Botimeve UETPress, Suela Bala.

Sipas botuesve, në vendin tonë libri elektronik lexohet dhe shitet ende pak. Edhe në këto kohë, lexuesi shqiptar orvatet drejt librit fizik, duke shfrytëzuar edhe libraritë online ose rrjetet sociale gjatë kohës së pandemisë.

Ajo që vihet re është se pandemia ka ndikuar në prurje (më pak se vitet e kaluara), por përtej vështirësive, shtëpitë botuese janë përpjekur që në këtë panair të vijnë me një trend të mirë botimesh.

Ndërkohë, normaliteti i ri ka edhe shënjimet e veta, ndaj në këtë panair do të gjejmë edhe libra për pandeminë. Një i tillë vjen nga Namik Dokle “Kolerë në kohë të dashurisë”.

“Botimet Toena duke vlerësuar si gjithmonë këtë festë të librit është kujdesur të sjellë për lexuesit 50 botime të reja. Shkrimtari Besnik Mustafaj sjell romanin ‘366 rrëfenja për të ndjellë gjumin’, shkrimtari Namik Dokle vjen me romanin ‘Kolerë në kohë të dashurisë’, gazetarja Arta Marku me ‘Dhoma pa mure’ – një vëllim me intervista me autorë shqiptarë (por që sjell edhe mendimin e saj estetik rreth përjetimeve të saj gjatë intervistimit e më pas); Drago Siliqi ‘Një jetë në fluturim’ etj. Një pjesë e mirë e botimeve i takon edhe letërsisë më të mirë që botohet në Europë e në botë”, thotë Irena Toçi për Gazetasi.al.

Megjithëse ka qenë vit i vështirë shitjesh, për shkak të krizës nga pandemia, Rita Petro thotë se Botimet ALBAS kanë pasur një vit të bollshëm me punë e produkte cilësore.

“Në këtë panair ne vijmë me vepra të autorëve më të njohur të letërsisë bashkëkohore botërore (shek. XX, XXI). Nobelistë: si Herta Myler dhe Vladislav Reimond, autorë me çmime të rëndësishme si J. Updike, De Lilo, M. Mazzucco, S. King, autori i rëndësishëm kinez Yu Hua dhe argjentinasi R. Arlt. Dy nga titujt që i kam shumë për zemër, është “Nga malli digjem…”, fragmentet, që përbëjnë veprën e plotë poetike të Safos, ashtu siç kanë ardhur deri në ditët e sotme. “Rumi i ndaluar” me poezi të zgjedhura që zbulojnë një faqe tjetër nga madhështia e këtij autori. Dy autorë të mirënjohur Gazmend Kapllani me titullin ‘Faqja e fundit’ dhe Ardian Vehbiu me ‘Castigat’. Ndërkaq kemi dhe shkrimtarë të rinj, poetët e talentuar Met Disha dhe Adrian Zalla, dhe tregimtarin Dionis Prifti, që ka fituar çmimin e parë në prozë nga Qendra Kombëtare e Librit dhe e Leximit”, shprehet Rita Petro për Gazetasi.al.

Arlinda Dudaj nga Botimet Dudaj

Po ashtu edhe Shtëpia Botuese Dudaj vjen me një sërë titujsh të rinj. Përpos vështirësive të pandemisë, Arlinda Dudaj thotë se është përpjekur të mos e ulë shumë numrin e botimeve.

“Përveç librave të rëndësishëm që kam botuar më përpara, kam një libër të rëndësishëm nga Lea Ypi që vjen me librin “Të lirë”. Besoj se do ketë shumë shitje sepse është një libër për ne, për epokën e komunizmit me sytë e një fëmije. Një tjetër libër i rëndësishëm është ‘Petali i gjatë i detit’ nga Isabel Allende që ka në fokus historinë mallëngjyese të një burri dhe një gruaje që marrin arratinë për t’u mbijetuar pështjellimeve të historisë së shekullit të njëzetë. Po ashtu, ripropozohet autobiografia ‘Premtimi’ nga Barack Obama”.

Suela Bala nga Botimet UETPress

“Ne vijmë në këtë panair me rreth 30 botime të reja të vitit 2021. Uetpress është e lumtur që në këtë panair vjen me tituj dhe autorë përfaqësues, duke ruajtur veçantinë e saj si shtëpi botuese që promovon autorët dhe letërsinë shqipe, si edhe librat e mendimit – këtu do të veçoja botimet e kolanës Scripta Manent, ose ndryshe librat e kujtesës, ku personazhe me protagonizëm dhe gjurmë në jetën e vendit, sjellin dëshmitë e tyre si kontribut për kultivimin e kujtesës kolektive”, thotë Suela Bala nga UETPress.

Duke qenë se jemi ende në vorbullën e pandemisë, shqetësim i këtij panairi mbetet pjesëmarrja.

“Pritshmëritë që ne kemi janë shumë të mira, me gjithë merakun që kemi që do na vijnë pak njerëz. Shpresojmë shumë që ky do jetë një moment shumë i mirë për t’u rikthyer te libri”, përfundon Arlinda Dudaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë