Futboll

Rikthim i hidhur në Mançester për Mourinjon, Liverpuli fiton derbin me Shaqirin

Pas më pak se një viti nga shkarkimi nga Mançester Junajtid, Zhoze Mourinjo është kthyer në “Old Trafford” si trajner i Totenhemit. Dhe ka rezultuar një rikthim i hidhur, pasi Mançesteri ka fituar dhe e ka kaluar Totenhemin në klasifikim. Fillimi i ndeshjes ishte shumë i dobët për skuadrën e Mourinjos, që pësoi gol pas 6 minutash, pas një gabimi të portierit Gazaniga, i cili nuk ndali një gjuajtje të Rashford në shtyllën e parë.

Për më tepër, Mourinjo pësoi edhe një dëmtim në fillimin e ndeshjes. Gjatë një dyluftimi në vijën anësore midis Uinks dhe Xhejms, lojtari i Mançesterit u përplas me trajnerin portugez, duke e dëmtuar atë. Në fundin e pjesës së parë, pasi i shpëtoi për mrekulli golit të dytë në tre raste, Totenhemi barazoi me një perlë të Dele Ali. Me një “sombrero” me shpinë nga porta, ai la të ngrirë Fred dhe Jang dhe me një prekje precize mposhti De Gean. Por me fillimin e pjesës së dytë Rashford realizoi sërish, këtë herë me penallti. Gol që do të rezultonte vendimtar për këtë ndeshje, duke i dhënë tri pikët Mançesterit dhe duke i shkaktuar Mourinjos humbjen e parë në krye të Totenhemit.

Mourinjo dhe Rashford gjatë ndeshjes Mançester Junajtid-Totenhem, 2-1. Gazeta Si, 5 dhjetor 2019

Ka filluar në mënyrën më të mirë muaji dhjetor për Liverpulin, një muaj shumë i rëndësishëm sa i takon garës për titullin kampion. Me Xherdan Shaqirin titullar në derbin me Evertonin, skuadra e Klopit i është përgjigjur Mançester Sitit me një fitore të thellë, 5-2. Një provë pjekurie, pasi Liverpuli në këtë ndeshje kurseu lojtarë si Firmino dhe Salah. Lideri i ekipit në fushë ishte Mane, i cili “gatoi” dy giolat e parë të shënuar nga Origi dhe Shaqiri. Kin shkurtoi diferencën e golave përkohësisht, por Origi nuk i la Evertonit asnjë shans për të shpresuar, sepse realizoi golin e tretë me një kontroll topi mjaft të mirë. Në fundin e pjesës së parë Mane shënoi edhe golin e katërt. Në pjesën e dytë Uijnaldum kthen në gol asistin e Firminos, i cili sapo kishte hyrë në fushë dhe kështu Liverpuli regjistron ndeshjen e 32-të radhazi pa humbje. Ky është një rekord për klubin.

Kanë fituar në javën e 15-të të Premier League edhe Leiçesteri dhe Çelsi. Leiçesteri i vendit të dytë ka mundur 2-0 Uatfordin dhe qëndron 3 pikë para Mançester Sitit, kurse Çelsi i trajnerit Frenk Lampard mundi 2-1 Aston Vilën, me gola të Abraham dhe Mount. Ngjitet në vend të 5-të Volvsi i Nuno Espirito Santo, pas fitores 2-0 ndaj Uest Hemit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë