Futboll

Rikthehet Superiorja me tre trajnerë debutues dhe dy ekipe fantazmë

Mbyllen pushimet për Superioren, nivelin më të lartë të futbollit në vend. Luhen sot pasdite tri nga pesë ndeshjet e javës së 18-të, ku vëmendjen e merr natyrisht sfida e Korçës mes Skënderbeut vendës dhe Partizanit kampion në fuqi. Kjo javë paraqet interes edhe për faktin se skuadrat vijnë pas merkatos dimërore dhe tifozët janë kuriozë të shohin si kanë ndryshuar ato.

Janë tre trajnerët e rinj të Superiores dhe dy prej tyre debutojnë sot. Adolfo Sormani, i rikthyer te Partizani, debuton në Korçë, një transfertë e vështirë, duke ditur rivalitetin e viteve të fundit mes dy skuadrave. Karikimi për lojtarët vjen vetvetiu, por duhet pranuar se kualiteti mes Partizanit dhe Skënderbeut ka diferencë. Korçarët kanë pasur vështirësi në merkato, ku afrimi i vetëm zyrtar është ai i Eni Imamit nga Tirana. Skënderbeut ndodhet në zonën e rrezikshme të rënies dhe ka nevojë për pikë, ashtu si dhe Partizani që nuk mund të kënaqet me vendin e katërt.

Nga një ndeshjes mes Skënderbeut dhe Partizanit sezonin e kaluar në Korçë. Gazeta Si, 21 janar 2020

Një fitore e mundshme i nxjer në krye të kuqtë, tashmë pa Jasir Asanin, i shitur në Suedi, por edhe pa Esat Malën të pezulluar nga klubi e Boldorin të skualifikuar. Trajneri Sormani beson shumë se Partizani do të fitojë sërish titullin dhe kërkon një debutim sa më të susksesshëm në Korçë.Klubi kryeqytetas mbetet ende në merkato, ku nevoja më e madhe është ajo e një sulmuesi me përvojë. Ndeshja luhet në orën 17:00, në stadiumin “Skënderbeu”.

Debuton sot edhe trajneri brazilian Marselo Troisi, në stolin e Flamurtarit. Vlonjatët luajnë në “Loro Boriçi” me Vllazninë, në orën 14:00, por ata janë një nga dy ekipet fantazmë të gjysmës ë dytë të kampionatit, bashkë me Luftëtarin që tashmë drejtohet nga Nikolin Çoçlli, edhe ky debutues. Këtyre dy ekipeve FIFA u ka bllokuar merkaton, gjirokastritëve vetëm një sesion dhe vlonjatëve për tre sesione. Shumë lojtarë kanë zgjidhur kontratën me këto dy klube në krizë, në një moment kritik të historisë së tyre. Tifozët nuk e dinë se me cilët lojtarë Flamurtari dhe Luftëtari do të përfaqësohen në kampionat. Vllaznia sot ka shansin më të mirë për ta nisur vitin me fitore, ndaj një Flamurtari “anonim”.

Marselo Troisi debuton sot te Flamurtari. Gazeta Si, 21 janar 2020

Ndeshja e tretë që luhet sot është Teuta-Laçi, dy skuadra që synojnë pjesëmarrjen në Europë dhe secila ka bërë ndërhyrje në merkato, si në hyrje, ashtu edhe në dalje. Durrsakët luajnë në fushën e tyre dhe kanë më shumë shanse për fitore. Dy ndeshjet e tjera të javës së 18-të, Luftëtari-Kukësi dhe Tirana-Bylis, luhen nesër. Kampionati kryesohet nga Kukësi me 31 pikë, më pas vijnë Bylisi me 30 dhe Tirana, Partizani dhe Teuta me nga 28 pikë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë