Dosje

‘Rikthehet’ pas 9 vjetësh dosja Xibraka, historia e laboratorit të kokainës dhe zbutja e akuzave për trafikantët

Gazeta Si- Në dhjetor të vitit 2014 dhe fillim të 2015, partnerët ndërkombëtarë kishin sinjalizuar prej pak kohësh policinë shqiptare për ekzistencën e një laboratori përpunimi të kokainës në Shqipëri.

Sinjalizimet u konkretizuan me një operacion të ndërmarrë në bashkëpunim me Interpolin dhe Europolin më 14 janar të 2015.

Një dosje që u mbyll me akuza të lehta dhe dënime me gjykim të shkurtuar për të arrestuarit, mes tyre dhe dy kimistë kolumbianë.

Operacioni u kodua me emrin “Xibraka”, ashtu si emri i fshatit që ndodhet 10 kilometra larg qytetit të Elbasanit.

Pikërisht në këtë fshat, një grup i strukturuar kriminal kishte gjetur si terren një magazinë larg zonave të banuara dhe rrahjes së syrit të kureshtarëve për të përpunuar kokainën.

Operacioni

Tetë persona u arrestuan brenda dhe pranë magazinës së drogës, mes tyre dhe kreu i grupit Sajmir Batku, nipi ish-diktatorit Enver Hoxha, Ermal Hoxha dhe dy shtetas kolumbianë, ndërkohë që Genci Xhixha, që konsiderohej si koka e rrjetit të trafikut u shpëtoi prangave, pasi ndodhej jashtë vendit.

Në laborator u gjet dhe sekuestrua sasia prej 19 kilogramë e 416.2 gr lëndë narkotike e dyshuar kokainë; 8 kg e dyshuar si përzierës i lëndës narkotike kokainë; 400 euro; 769.000 lekë të reja dhe 4150 dollarë amerikanë.

U gjetën dhe sekuestruan pesë copë karta krediti dhe një çek me vlerë 4.500 dollarë; një armë zjarri automatik model 56; një armë zjarri revolver me mulli; një armë zjarri e tipit pistoletë me kalibër 9 mm; tre armë gjahu , çifte dhe një teke; 174 fishekë të modeleve dhe kalibrave të ndryshme; 50 fishekë luftarake me kalibër 9 mm; katër automjete të tipeve të ndryshme; një makineri vakuumi e cilësisë së lartë; një peshore elektronike; 25 aparate telefoni celulare; dy automjete dhe pesë ora të markave të ndryshme.

Procesi gjyqësor

Në prill të 2015, në kohën që mbahej nën masën e sigurisë arrest me burg, Ermal Hoxha i drejtohet Gjykatës së Lartë me kërkesën për heqjen e kësaj mase.

Gjykata e Lartë e refuzon këtë kërkesë dhe e ndjek nga qelia procesin gjyqësor së bashku me të pandehurit e tjerë.

Në qershor të 2017, gjashtë muaj pas operacionit, Prokuroria kërkoi 126 vite burg për 9 të akuzuar, përfshirë nipin e Enver Hoxhës, Ermalin dhe dy shtetasit kolumbianë, Cesar Avila dhe Valter Moreno, që cilësoheshin nga hetuesit si “specialistët” e përgatitjes së kokainës për treg. Prokuroria kërkoi nga 13 deri në 15 vite burg për ta.

Në korrik, grupi i pagëzuar me emrin “Grupi i Xibrakës”, për shkak të fshatit me të njëjtin emër ku u zbulua laboratori i përpunimit të kokainës, i shpëtoi dënimit për akuzën e trafikut të drogës.

Nëntë të pandehurit, prej të cilëve personi kyç Genci Xhixha që vijon të jetë ende në kërkim, u dënuan në total me 104 vite burgim në total vetëm për akuzën e prodhimit të drogës dhe grup të strukturuar kriminal.

Dënimet

Vetë Ermal Hoxha nuk u shfaq asnjëherë para Gjykatës së Krimeve të Rënda dhe nga 13 vjet që kërkoi Prokuroria e Krimeve të Rënda mori dënimin me 10 vjet burgim.

Gjykata tha në atë kohë se vepra e trafikut të drogës ra përderisa nuk është vërtetuar se ku do të transportohej kjo ngarkesë, pasi të përfundonte përpunimi i saj.

Megjithatë, Prokuroria përgjatë gjykimit këmbënguli se të nëntë të dyshuarit krijuan një grup të strukturuar kriminal me qëllim trafikun e drogës, duke importuar në Elbasan një sasi lënde në përmbajtje të të cilës fshihej kokainë.

Grupi kërkoi gjykimin e shkurtuar në mënyrë që të përfitonte uljen e dënimit me një të tretën e tij, por kërkesa iu refuzua nga shkalla e parë e Krimeve të Rënda.

Të pakënaqur me vendimin, të dyshuarit apeluan në Apelin për Krimet e Rënda, trupa e të cilit e pranoi kërkesën duke ulur në total nga 104 vite dënim në 63 për të akuzuarit.

Vetë Ermal Hoxhës iu ul dënimi nga 10 vite në 6 vite e 8 muaj burg dhe ende pa e përfunduar këtë dënim u lirua nga qelia.

Cezar Avila dhe Valther Moreno , ishin dy ekspertët kolumbianë të laboratorit të Xibrakës të dënuar, ata po kryenin procesin kimik të nxjerrjes së kokainës  në periferi të Elbasanit.

Një tjetër kolumbian Agust Triana , i cili deklaroi se jetonte në Spanjë u dorëzua në areoportin e Rinasit së bashku me rrëfimin se kishte frikë se do ta vrisnin.

Edhe procesi ndaj tij i mbajtur sekret, mbeti plot me dritë hije që nuk u zbardhën nga Krimet e Rënda sikur edhe dosja e Xibrakës, që u mbyll me akuza të lehta dhe u shfry si një tullumbace.

Dënimet e dhëna për 9 pjestarët e dosjes "Xibraka"

Ermal Hoxha - 10 vjet burg

Arjan Dalipi - 10 vjet burg

Cezar Avila - 12 vjet burg

Ilir Hysenaj - 12 vjet burg

Saimir Batku - 13 vjet burg

Klement Dalipi - 11 vjet burg

Genci Xhixha - 13 vjet burg

Gentjan Gjonaj - 11 vjet burg

Walter Moreno - 12 vjet burg


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë