Politike

Bardhi hap letrat, thirrje SPAK: Të rihapet dosja e Xibrakës, të hetohet roli i Olsi Ramës, të premte dorëzoj provat

Kryetari i grupit parlamentar i PD-së, Gazment Bardhi, doli të enjten në një  konferencë për shtyp nga selia e PD-së me një objektiv. Ai ishte Olsi Rama vëlllai i kryeministrit Rama.

“Unë sot jam këtu për të sjellë fakte që gjenden në dosjen penale të Xibrakës. Fakte dhe rrethana që nuk u hetuan asnjëherë të plota, megjithëse ekzistonte, të paktën deri para disa vitesh, një dosje hetimore paralele sekrete me dosjen e Xibrakës.

Këto fakte dhe rrethana që gjenden në dosjen e hetuar keq nga prokuroria e kohës, provojnë marrëdhënien e besimit mes kryetrafikantit të arratisur të drogës së Xibrakës dhe vëllait të kryeministrit.

Lë të vijmë tek faktet, të cilat, dua ta theksoj, janë të gjitha në dosjen penale, janë zyrtare, nuk janë akuza politike.

Prokuroria në Mars 2016, pasi ka identifikuar të gjithë personat e përfshirë, ka dështuar të identifikojë vetëm një person, të cilin e quan “bashkëpunëtorin e paidentifikuar” dhe për të cilin ka hapur një procedim të vecuar penal, me qëllim që të gjejë identitetin e tij, që në fakt e la në harresë dhe nuk e gjeti kurrë.

Sipas dosjes penale policia ka identifikuar çdo person të përfshirë, përveç një personi që shoqërohej me drejtuesit kryesorë të grupit. Ajo i di pamjen personit, i di fiks moshën, por nuk i ka gjetur dot emrin!

Ky person i paidentifikuar nga policia, një ditë përpara operacionit për arrestimin e grupit, pra më 13 janar 2015, ka qenë prezent në bazën e grupit kriminal, në një nga zonat e Tiranës, sëbashku me drejtuesit kryesorë të grupit kriminal. Nga raportet e shërbimit të grupeve policore të vëzhgimit personi pa emër  përshkruhet, po citoj: “personi i moshës 45 vjeç me flokë të shkurtra”, përdorues automjetit me targa AA...

Vëllai i kryeministrit Edi Rama, sipas provave të sistemit TIMS, është ekzaktësisht përdorues i automjetit me targa AA....”, tha Bardhi duke nxjerre edhe foto.

“TIMS provon se nga 18 udhëtime me hyrje-dalje jashtë vendit, të automjetit me targën AA... në 7 raste automjeti është përdorur prej Olsi Ramës dhe herët e tjera nga treshja e narko-organizatës, Genci Xhixha, Ermal Hoxha, Gentjan Gjonaj.

Për fat të keq, për 10 vite me radhë, policia dhe prokuroria kanë dështuar të identifikojnë zyrtarisht të vetmin person të afërt të krerëve të grupit kriminal, që kryente takime me ta në bazën e tyre sekrete në Tiranë, përdorte të njëjtën makinë si ata dhe me ata, ka të njëjtën moshë dhe pamje me Olsi Ramën, i cili faktohet se përdor edhe ky të njëjtën makinë si grupi kriminal dhe 45 vjeçari i paidentifikuar...”, shtoi Bardhi

Më tej ai përmendi 10 fakte që sipas tij  provojnë përfshirjen e Olsi Ramës në dosjen “Xibraka”

Bardhi në një deklaratë për mediat, i ka bërë thirrje kreut të SPAK Altin Dumanit, që të rihapë dosjen e Xibrakës dhe se për këtë arsye ai do të depozitijë pranë SPAK edhe provat.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë