Muzike

Rikthehet ‘Netët e Bejkës së Bardhë’, festivali i isopolifonisë në Pilur

Nga Gazeta Si - Rikthehet për të tretin vit rresht festivali “Netët e Bejkës së bardhë” në fshatin Pilur të Himarës, vendin ku u krijua dhe u këndua kryevepra e polifonisë piluriote nga poeti i madh, Lefter Çipa.

Festivali folklorik do të mbahet këtë fundjavë në datat 3, 4 dhe 5 qershor, duke rikthyer bukur polifoninë dhe duke e bërë Pilurin kryeqendrën e polifonisë shqiptare.

Siç shprehet organizatori Kristo Çipa, festivali i këtij viti do të bëjë bashkë rreth 300 artistë dhe 22 grupe folklorike.

“Më 3-5 Qershor të këtij viti do të mblidhet rreth 300 artiste e polifonë nga të gjithë trevat ku këndohet polifoni, por duke marrë me vete edhe lidrën e tupanin e Kosovës, ‘Lotin e kurbetit’ dhe ‘Zërin e traditës’ nga emigracioni për të kulmuar tek tempulli mbarëkombëtar i kulturës sonë popullore, Ansambli i këngëve dhe valleve të Shqipërisë. Tre ditë e tre net si zakonisht ndodhin bëmat e kreshnikëve dhe ringjalljet biblike, po ashtu, edhe 22 grupe polifonike konkurrues dhe tre përshëndetës do të zbresin kryeveprën e njerëzimit, isopolifoninë, në podin e gurtë me simbolikën e ardhmërisë që mbart lapidari në sfond malesh”, shprehet organizatori Çipa.

Përpos të gjitha trevave që këndojnë polifoni dhe kryesisht bashkive të jugut, këtë vit do të ketë të ftuar për të përshëndetur festivalin edhe grupe e asamble jashtë kufijve shtetëror (nga Kosova, Maqedonia e Veriut, emigracioni dhe diaspora).  Ndërsa pranon që grupet dhe ansamblet përshëndetëse do t’i japin një tjetër ngjyrim këtij festivali, Çipa thotë se kulmi i tij do të jetë dita e tretë ku mendohet se do të ketë një koncert homazh për Nderin e Kombit Lefter Çipa, nga Ansambli Shtetëror i Këngëve dhe Valleve.

Sipas organizatorit Çipa, festivali i këngës polifonike do të evidentojë vlerat tona muzikore, lashtësinë dhe mbijetesën.

“Tri këngë për secilin grup ku e vjetra e paekspozuar e shoqëruar me një rit i vjetër nga ata që Shqipëria i ka pasur me shumicë si gurët e maleve, së bashku me një apo dy këngë të reja me tekst të ri bashkëkohor, përbëjnë repertorin më sinkron dhe njëkohësisht të besueshëm që tregon se Shqipëria dhe shqiptarët kanë pasur dhe kanë një kulturë dhe traditë që evidenton genin, lashtësinë, mbijetesën, qëndresën dhe vazhdimësinë”, shprehet më tej Çipa rreth festivalit.

Personalitete të ndryshme politike dhe kulturore i bashkohen këtij eventi popullor që sipas Çipës, “tërheq si gjaku shpirtin banorë aktualë, emigrantë, turistë e kureshtarë”.

Për herë të parë, do të ketë edhe një shpërndarje t këtij aktiviteti edhe në fshatin Nivicë të Tepelenës.

“Së bashku me Pilurin qafa tjetër simotër e lashtësisë dhe mrekullisë  polifonike, Nivica e fillon këtë event me parakalimin e tufave blektorale që nisen për shtegtimin veror. Ky është riti i vjetër sa bota për ne dhe gjithë gadishullin ilirik. Në darkë vonë, grupe polifonike që konkurrojnë në Pilur do shkojnë me makina nëpër rrugën e re llahtarisht të bukur qe futet grykave e pyjeve për të kënduar përsëri në qendrën historike të restauruar të Nivicës së bukur si lot gëzimi”.

Ky festival duket se po krijon premisat për ta pasuruar atë me interpretë, këngë, rite dhe melodi.

Në fund të festivalit ndahen edhe çmimet: çmimi i parë ”Lefter Çipa”, çmimi i dytë “Kujtim Mici”, mimi i Tretë “Koço Çakalli”, etj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë