Sociale

Rifillimi i mësimit, nxënësit do ndihmohen të kalojnë traumat

Ministria e Arsimit ka njoftuar se po punohet intensivisht që të rifillojë mësimi në shkollat e padëmtuara dhe se është gati plani për zhvendosjen e nxënësve nga shkollat e dëmtuara drejt shkollave që do i presin.
Siç thuhet në njoftim, ministrja e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, Besa Shahini ka inspektuar nga afër shkollën e dëmtuar 9-vjeçare “Ramazan Subashi” në Marikaj, Vorë dhe më pas ka zhvilluar një takim me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Marqinet”, Vorë, e cila do të jetë edhe shkolla pritëse për nxënësit e shkollës “Ramazan Subashi”.
Sipas ministres “Transporti i nxënësve është siguruar tashmë nga Zyra Vendore Arsimore Vorë dhe mësuesit do t’i shoqërojnë nxënësit nga Marikaj tek shkolla pritëse”.
Rifillimi i mësimit do të bëhet me fleksibilitet në ditët e para dhe do të fillohet me një informim për t’u mbrojtur dhe më pas për të marrë masa në rast emergjence.
“Tre ditët e para le ta nisim me fleksibilitet mësimin dhe të mësojmë ndjesitë e nxënësve, në mënyrë që ta kalojmë këtë gjendje emocionale që la pas tërmeti i 26 nëntorit dhe pas-tërmetet që vijuan. Çdo shkollë tashmë ka një plan të qartë dhe të detajuar për mbrojtjen ndaj dukurive natyrore siç është tërmeti, si dhe për daljen emergjente të të gjithë nxënësve dhe mësuesve nga godinat e shkollave. Çdo kat ka një koordinator përgjegjës për daljen emergjente”, është shprehur ministrja.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë