Siç raportohet nga Castilla-La Mancha Media, Rey Manaj mund të transferohet te Barcelona B gjatë merkatos së janarit. Lojtari i lindur në vitin 1997 është kandidati kryesor për të zëvendësuar Abel Ruiz, i cili nuk e ka bindur trajnerin Garcia Pimienta. Në marrëveshjen që pritet të sjellë Manaj-n në Katalonjë, një përqindje do të dakordohet gjithashtu në favor të Albacetes, në rast të një transferimi të mëvonshëm të lojtarit, të cilin e kanë riblerë në korrik nga Interi për shifrën 2 milion euro.

Manaj luajti për Interin, në periudhën që drejtohej nga Roberto Mancini, duke debutuar në Serie A në gusht të vitit 2015 (Inter-Atalanta 1-0). Në sezonet në vijim u huazua te Pescara, Pisa dhe Granada për të fituar përvojë. Në qershor 2018 Manaj kaloi te Albacete në huazim me të drejtë blerje. Këtë vit, sulmuesi i kombëtares luajti 9 ndeshje duke shënuar 2 gola, por duke marrë 4 kartonë të verdhë. Manaj ishte gjithashtu në fushë në raundin e parë të Kupës së Mbretit kundër Tudelano. Transferimi i lojtarit pritet të jetë zyrtar në ditët në vijim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.