Lajme

Lihet në burg Rexhep Rraja. Xhisiela shkon ta mbështesë në gjykatë

Rexhep Rraja, djali i deputetit socialist Rrahman Rraja, mbetet sërish në burg. Trupa gjykuese që ka shqyrtuar kërkesën për lirimin e Rrajës në Apel përbëhej nga Shpresa Becaj, Zeqine Sollaku dhe Ridvan Hado. Vetë Rexhep Rraja ditën e sotme ka zgjedhur të mos jetë i pranishëm në seancë dhe ka njoftuar përmes një letre mospjesëmarrjen.

“Për arsye personale nuk dëshiroj të marr pjesë në seancë”.

Sipas avokatit të tij, Ilir Murati, nuk ka vepër penale për përndjekje apo dhunë ndaj Xhisiela Malokut, siç pretendon Prokuroria.

“Kërkoj shfuqizimin e vendimit të Gjykatës së Krujës dhe kërkoj lirimin e menjëhershëm. Kemi një histori rozë që nuk ka të bëjë me veprën penale të përndjekjes. Dëmtimet e shkaktuar te shtetasja Xhisela Maloku nuk përcaktojnë kohën kur është bërë”, ka deklaruar avokati.

Ndërkohë, është shfaqur edhe vetë Xhisiela, por pak pak minuta me vonesë, pasi u mësua vendimi që Gjykata e Apelit kishte dhënë për Rexhep Rrajën për ta lënë atë në burg. Në një prononcim të shkurtër për mediat ajo tha se kishte ardhur për ta mbështetur Rexhepin, por ishte vonuar për shkak të trafikut të rënduar.

 “Erdha në Gjykatë për ta mbështetur. Për arsye trafiku isha me vonesë. Kam kontaktuar me të kemi marrëdhënie shumë të mira me të. Marrëdhënie shoqërore. Kam ardhur për ta mbështetur... Është i pafajshëm”, është shprehur Xhisiela Maloku.  

Rexhep Rraja u arrestua më 30 shtator 2018. Ai akuzohet për përndjekjen e ish-të dashurës së tij, Xhisiela Maloku. Por, kjo e fundit, nga ana tjetër, ka deklaruar se me Rexhepin janë grindur dhe shkak ka qene xhelozia. Ajo thote se Rexhepi nuk e ka keqtrajtuar.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë