Lajme

Revolucioni teknologjik, tani në audiodrama

Po vjen prap fundjava. Ç’plane ke bërë? Do të shkosh në plazh, apo ke vendosur të mos rrezikosh edhe për ca kohë nga ky dreq virusi e të mos dalësh nga qyteti por të shijosh kafen e së shtunës tek lokali poshtë shtëpisë e mandej në mbrëmje ndonjë gotë andej nga blloku? Mos ndoshta do të nisesh për hiking, apo do të vazhdosh zakonin e ecjes e vrapit nga liqeni artificial?
Kushdo qofsh e çfarëdo do të zgjedhësh të bësh, është e sigurtë se diçka do ta kesh njësoj si gjithë të tjerët: celularin me vete. Për të bërë fotografi, për të dëgjuar muzikë, për të parë në youtube e rrjete sociale apo dhe thjeshtë për t’u shkruar në whats up me pjesën tjetër të botës.
Kudo qofsh, në këto kohë, teknologjia të sjell opsione e aplikacione nga më të ndryshmet e më të rejat, për të të dhënë sa më shumë argëtim e informim e sigurisht dhe për t’u ndjerë trendy e në rrjedhë me evoluimin dixhital.
Aplikacionet si Spotify e Tidal tashmë po bëhen më të preferuarit për të rinjtë që duan ta kenë muzikën me vete. Podcastet po krijojnë një tjetër urë të re komunikimi me të apasionuarit dhe përdoruesit e smart divices, të grupmoshave nga 15 deri në 60 vjeç.
Në këtë frymë innovative, pikërisht për gjithë këtë target grup, ka ardhur së fundmi, për herë të parë në Shqipëri formati podcast për një audiodramë.
Në plazh a në kafen e lagjes, në ecje nga liqeni a vrap, në fushë a lendinë ku mund të jesh ulur për të pushuar nga ngjitja në mal… mund ta dëgjosh ngjarjen e audiodramës, sikur gjithçka po ndodh aty ku je ti. Zërat, efektet, muzika, do të të bëjnë të ndjehesh sikur ke shkuar në teatër, sikur e ke skenën e aktorët aty në krah. Mund të dëgjosh herë një episod e ditë tjetër një tjetër, ose mund t’i dëgjosh të 6 episoden në një herë. Mjafton të shkosh tek www.gazetasi.al e të klikosh mbi posterin “Babai im”.
Nëse e bën, do të të vijë në vesh zëri i aktorëve (Ema Andrea, Petrit e Antoneta Malaj, Valdrin Hasani, Anisa Dervishi, Rozi Kostoni, Alert Çeloaliaj, Medi Gura, Genc Fuga e Met Xhelili) me rrëfimin e historsië që nis me një akisdent fatal pas së cilit do të zbulohen, fakte e dëshmi mbi abuzime seksuale, që do të përmbysin para fëmijëve figurën e një babai idhull, e para shoqërisv figurën e një mjeku e biznesmeni të nderuar.
Shumëkujt kjo eksperiencë do t’i kujtojë kohën e radiodramava, që dëgjoheshin nga radiot e vogla që merreshin me vete në udhëtime e ditë pushimesh, ndaj në këto kohë do ta shijojnë edhe më shumë, duke u ndjerë pjesë e revolucioneve teknologjike, pjesë e së cilës tashmë janë dhe podcastet me audiodrama. “Babai im” ishte i pari që u realizua në Shqipëri, në vështirësitë e izolimit total ç’ka bëri që të mungojë disi ndërveprimi mes aktorëve, të cilët s’u puqën dot kurrë në një studio për ta realizuar të gjithën në një frymë. Shumë të tjera mund të realizohen edhe nga medium të ndryshme e do të kthehen në trendin më të ri.
Ti a mendove ndërkaq planin e fundjavës? Çfardo që të kesh menduar, tashmë e ke dhe një sugjerim të mire, se çfarë mund të dëgjosh kur do kesh dëshirë të ndjehesh si në teatër. Skenën, aktorët do t’i kesh të gjithë aty.

(kliko për të dëgjuar audiodramën "Babai Im"

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë