Motosport

Revolucioni/ Formula 1 aprovon garën sprint të së shtunës, 3 pikë për fituesin

Revolucion në Formula 1: Federata Ndërkombëtare e Automobilizmit (FIA) ka aprovuar me unanimitet propozimin për Kualifikueset Sprint të së shtunës, ose më saktë një garë prej 100 kilometrash, që përcakton rendin e makinave në nisjen e Çmimit të Madh të së dielës. Ndryshon kështu formati i fundjavës, me të premten kur pilotët zbresin në pistë për provat e lira dhe kualifikueset.

Gara sprint do të vlejë 3 pikë për fituesin, 2 pikë për vendin e dytë dhe 1 pikë për vendin e tretë. Ky format i ri do të eksperimentohet që në 2021-shin në tre gara që presin konfirmimin zyrtar, por që duhet të jenë Silverston, Monxa dhe me shumë mundësi Interlagos. Lajmi është pritur me shumë entuziazëm nga presidenti i FIA-s, Zhan Todt:

"Jam krenaqr teksa shoh që Formula 1 po kërkon mënyra të reja për të përfshirë fansat e saj dhe për të shtuar spektaklin e fundjavës me anë të Kualifikueseve Sprint. Kjo është bërë e mundur mes bashkëpunimit të FIA-s, Formulës 1 dhe gjithë skuadrave. F.1 po tregon se është më e fortë se kurrë, me të gjitha palët që punojnë bashkë“.

Zhan Todt, president i FIA-s. Gazeta Si, 26 prill 2021

Kënaqësi e madhe edhe për drejtuesin tjetër, Stefano Domenikalin, i cili ka thënë: "Jemi entuziastë për këtë mundësi të re, që do të përçojë te fansat tanë një fundjavë edhe më të bukur në 2021-shin. Të shohësh pilotët të luftojnë për tri ditë me radhë do të jetë një eksperiencë shumë e bukur dhe jam i sigurt se edhe pilotët e vlerësojnë këtë. Jam i lumtur që të gjitha skuderitë e kanë mbështetur këtë plan“.

Për të premten skuadrat do të kenë në dispozicion 5 sete me goma të buta. Të shtunën do të jetë një orë për provat e lira paradite, me një set me zgjedhje të lirë nga skuadrat. Në Kualifikueset Sprint të së shtunës ekipet do të kenë në dispozicion 2 sete me goma sipas dëshirës. Gara e së dielës do të përballohet me dy setet e mbetura. Parku i mbyllur do të aplikohet nga fillimi i kualifikueseve të së premtes dhe do të ndalohet ndryshimi i komponentëve kryesorë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë