Ka ndodhur

‘Restart’, i sekuestrohet sërish drogë grupit që e trafikonte në Greqi

Gazeta Si - Tre persona të tjerë janë arrestuar në Korçë në vijim të operacionit “Restart” të nisur 3 muaj më parë për goditjen e trafikimit të lëndëve narkotike drejt Greqisë.

Në pranga kanë rënë Ertin Hoxhalli 35 vjeç i cili aktualisht ishte në shërbim prove, Kastriot Hoxha 42 vjeç dhe Zarif Beqiri 53 vjeç.

Gjatë aksionit të zhvilluar në fshatrat e njësive administrative Pojan dhe Maliq u sekuestruan 70 kilogramë kanabis të tjera, duke e çuar numrin total të lëndës narkotike të sekuestruar në 322 kg.

Në banesën e Ertin Hoxhallit, policia gjeti dy pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë 1.5 kg dhe 1 peshore elektronike.

Në banesën e Kastriot Hoxhës u gjet 1 armë zjarri automatik me një krehër të vendosur në folenë e tij, me 9 fishekë pa leje, si edhe në banesën e Zarif Beqirit janë gjetur 126 pako me lëndë të dyshuar narkotike kanabis me peshë totale 70 kg, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Me 3 arrestimet e fundit shkon në 10 numri i personave që kanë rënë në prangat e policisë gjatë këtij operacioni.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë