Bota

Republikanët kërkojnë largimin e presidentit Biden nëpërmjet amendamentit të 25-të

Gazeta Si - Disa senatorë dhe deputetë të opozitës kanë bërë apel për amendamentin e 25-të. Por për ta bërë këtë duhet mbështetja e zëvendëspresidentes dhe e qeverisë.

Në SHBA, liderët republikanë kanë sjellë në vëmendje amendamentin e 25-të të Kushtetutës për largimin e presidentit Joe Biden. Një amendament i futur në Kushtetutë pas vrasjes së John F.Kennedy me qëllimin për të zëvendësuar presidentin amerikan në rast vdekjeje, shkarkimi, dorëheqjeje apo paaftësie.

Bëhet fjalë për të njëjtin amendament të diskutuar disa herë për largimin e Donald Trump gjatë mandatit të tij. Prokurori special, Robert Hur, e liroi presidentin Biden nga akuzat për përhapje të dokumenteve sekrete, duke e quajtur atë "një burrë të moshuar me probleme me memorien".

Senatorët republikanë, Rick Scott, Mike Lee dhe Josh Hawley, kërkuan të zbatohet amendamenti i 25-të dhe kërkesa u nënshkrua edhe nga përfaqësuesit Mary Miller, Marjorie Taylor Greene dhe Mike Collins.
Claudia Tenney i shkroi një letër ministrit të drejtësisë, ku kritikonte vendimin e prokurorit Robert Hur, sepse hodhi poshtë akuzat ndaj presidentit për trajtim të pakujdesshëm të dokumenteve të klasifikuara: "Biden duhet të paditet, ose duhet të largohet. Rrugë të mesme nuk ka”.

Shumë figura të tjera të profilit të lartë të krahut të djathtë, si themeluesi i Turning Point USA, Charlie Kirk, drejtuesi i emisionit radiofonik Mark Levin dhe ish-guvernatori i Wisconsin, Scott Walker, kanë sugjeruar gjithashtu zbatimin e amendamentit të 25-të.

Amendamenti i 25-të i Kushtetutës së ShBA-ve është një dispozitë, që rregullon trashëgiminë presidenciale në rast të vdekjes, dorëheqjes, largimit ose paaftësisë së presidentit. Ai u ratifikua në vitin 1967, pas vrasjes së John F.Kennedy në 1963-shin. Amendamenti thotë se zëvendëspresidenti bëhet president, nëse presidenti vdes, jep dorëheqjen ose shkarkohet nga Kongresi.

Ai lejon po ashtu zëvendëspresidentin dhe shumicën e anëtarëve të kabinetit që ta shpallin presidentin të paaftë për të ushtruar kompetencat dhe detyrat e tij, duke ia transferuar përkohësisht detyrën zëvendëspresidentit. Presidenti mund ta kundërshtojë këtë dhe të rifitojë kompetencat, nëse Kongresi nuk konfirmon paaftësinë brenda 21 ditëve.

Amendamenti i 25-të është aplikuar 4 herë në historinë e SHBA-bve. Hera e parë ishte në vitin 1973, kur presidenti Richard Nixon emëroi Gerald Ford si zëvendëspresident, pasi Spiro Agnew dha dorëheqjen për korrupsion. Hera e dytë ishte në vitin 1974, kur Ford u bë president pas dorëheqjes së Nixon për skandalin Watergate.

Hera e tretë ishte në vitin 1974, kur Ford emëroi Nelson Rockefeller si zëvendëspresident, pasi u bë president. Hera e katërt ishte në vitin 1985, kur presidenti Ronald Reagan i transferoi përkohësisht kompetencat e tij zv.presidentit George H.W.Bush para një operacioni.

Për të rrëzuar aktualisht Biden duhet ndihma e zv.presidentes Kamala Harris. Liderët republikanë po shohin mundësinë e largimit të Joe Biden në bazë të amendamentit të 25-të, duke e akuzuar për paaftësi dhe probleme me memorien. Kjo procedurë kërkon pëlqimin e zv.presidentes Kamala Harris dhe një shumice të anëtarëve të kabinetit, si dhe të Kongresit, ku demokratët kanë shumicën.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë