Ne rrjet

Republika Sërpska ofron marrëveshje për ‘ndarje paqësore’ në Bosnje. Dodik njofton hapa konkretë brenda 30 ditësh

Nga Gazeta 'Si'-Në 30 ditët e ardhshme, Qeveria e Republikës Sërpska (RS) do të hartojë një marrëveshje që do t'i dërgohet entitetit tjetër të Bosnjës, Federatës së Bosnjës e Hercegovinës, për "ndarje paqësore", njoftoi kryeministri i RS-së, Radovan Vishkoviç.

Seanca e Qeverisë u mbajt në prag të seancës së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara (OKB), në rendin e ditës të së cilës është edhe rezoluta për gjenocidin në Srebrenicë.

"Kjo nuk është shkëputje, ndarje paqësore nuk është shkëputje, e drejta e garantuar me Kushtetutë është ndarja paqësore. Ne do të ofrojmë, nëse na konsideroni komb gjenocidal, që nuk jemi, atëherë nuk kemi pse të jetojmë së bashku", tha Vishkoviç.

Presidenti i RS-së, Millorad Dodik, po ashtu mori pjesë në mbledhjen e ekzekutivit.

Rezoluta, e cila propozon që 11 korriku të shpallet Ditë Ndërkombëtare e Përkujtimit të Viktimave të Gjenocidit të Srebrenicës, si dhe dënon mohimin e gjenocidit dhe madhërimin e kriminelëve të luftës, u sponsorizua nga tridhjetë vende.Propozueset zyrtare të saj ishin Gjermania dhe Ruanda.

Mbështetje për të, deri më tani, shprehën të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor, përveç Serbisë dhe entitetit serb të Bosnje e Hercegovinës, Republika Sërpska.

Zyrtarët e tyre, pavarësisht vendimeve të gjykatave ndërkombëtare, mohojnë se në Srebrenicë është kryer gjenocid kundër boshnjakëve dhe thonë se atje ka ndodhur një “krim i tmerrshëm”.

Në korrik të vitit 1995, forcat serbe të Bosnjës vranë mbi 8.000 burra dhe djem myslimanë në Srebrenicë.
Për gjenocidin e kryer u dënuan më shumë se 50 persona me rreth 700 vjet burg.Në mesin e tyre janë edhe presidenti i kohës së luftës i Republikës Sërpska, Radovan Karaxhiç, dhe komandanti i përgjithshëm i ushtrisë së atëhershme serbe, Ratko Mlladiç.

Të dy ata u dënuan me burgim të përjetshëm.

Serbia loboi në mënyrë aktive kundër miratimit të rezolutës për Srebrenicën dhe, një ditë para se të dilte në OKB, Asambleja e Republikës Sërpska miratoi një notë proteste drejtuar vendeve anëtare të Kombeve të Bashkuara, duke kërkuar tërheqjen e rezolutës.

Kjo, edhe përkundër faktit se në dokument nuk përmendet as Republika Sërpska, e as Serbia.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë