Politike

Reporterët e KiE: Reforma zgjedhore e ndjekur nga zgjedhjet, kyçi i krizës

Pas një vizite inspektimi në Tiranë, bashkëraportuesit e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (PACE) për monitorimin e Shqipërisë, Andrej Hunko (Gjermani, UEL) dhe Joseph O'Reilly (Irlandë, EPP / CD), u kanë bërë thirrje të gjitha forcave politike që të tregojnë vullnetin politik për të zgjidhur krizën sistemike politike që ka pllakosur vendin.
"Ne ritheksojmë qëndrimin tonë se parlamenti është forumi për dialog dhe diskutim politik, dhe për këtë arsye bojkotimet dhe djegia e mandateve nuk duhet të kenë vend në një shoqëri demokratike. Në të njëjtën kohë, mazhoranca duhet të angazhohet në dialog të mirëfilltë me opozitën për reformat e rëndësishme dhe sfidat politike me të cilat po përballet vendi", janë shprehur dy bashkë-raportuesit për Shqipërinë.
Apeli i tyre i publikuar në faqen zyrtare të KiE, thekson se për më tepër, nxisin të gjitha forcat politike që të përmbahen nga çdo veprim që mund të rrisë tensionin dhe të minojë më tej pluralizmin politik në vend. Raportuesit mirëpritën opinionin e fundit të Komisionit të Venecias për "fuqinë" e Presidentit për të caktuar datën e zgjedhjeve, i cili thotë qartë se megjithëse Presidenti "mund të ketë tejkaluar kompetencat e tij kushtetuese duke anuluar dhe shtyrë zgjedhjet lokale pa një bazë të veçantë ligjore" kjo, sipas këndvështrimit të tij, nuk e garanton gjykimin e e Presidentit.
Sipas tyre, reforma zgjedhore e ndjekur nga zgjedhjet, mund të jetë thelbësore për tejkalimin e krizës politike. Të gjitha forcat politike, përfshirë opozitën parlamentare dhe jashtëparlamentare, duhet të përfshihen plotësisht në procesin e reformës zgjedhore në mënyrë që të adresojnë mangësitë e shënuara gjatë zgjedhjeve të kaluara, dhe të vendosin një herë e përgjithmonë një kornizë për zgjedhje demokratike.
Bashkëraportuesit përshëndetën angazhimin e shprehur në mënyrë të përsëritur të autoriteteve për të reformuar gjyqësorin dhe sistemin e drejtësisë në Shqipëri. Në lidhje me verifikimin e vazhdueshëm të gjyqtarëve dhe prokurorëve, bashkë-raportuesit vunë në dukje numrin e lartë të shkarkimeve dhe dorëheqjeve si rezultat i këtij procesi.
Ndërsa, ata shpreshin shqetësimin se, më shumë se një vit pas fillimit të procesit, institucionet kryesore gjyqësore si Gjykata e Larte dhe Kushtetuese, si dhe Prokuroria Speciale Kundër Korrupsionit janë ende vakante. Ata presin që në fund të këtij viti ky problem duhet të zgjidhet në fund të këtij viti. "Kjo është veçanërisht e rëndësishme në lidhje me krijimin e Gjykatës Kushtetuese, e cila mund të luajë një rol të rëndësishëm në zbutjen e tensionit politik, pasi aktualisht nuk ka ndonjë arbitër të pavarur që të vendosë për kushtetutshmërinë e vendimeve dhe rezultatin e tyre nga autoritetet e ndryshme," nënvizojnë bashkëraportuesit.
Në reagimin e tyre ata shprehen të shqetësuar edhe për mediat në vend, situata me të cilat nuk shfaqet e mirë. Ata u bënë thirrje autoriteteve që të marrin parasysh të gjitha rekomandimet e bëra nga Përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias në lidhje me projektligjin për media dhe shërbime, dhe të publikojnë këtë projektligj sa më shpejt. Në dhjetor dy bashkëraportuesit pritet të mbajnë edhe një raport mbi misionin faktmbledhës që kanë kryer.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë