Ka dalë momenti i arrestimit të reperit të njohur Stresi. Policia e ka arrestuar krejtësisht në befasi, të shtrirë në krevat në një dhomë hoteli në zonën e Linzës.
Stresi u arrestua si pjesë e një grupi kriminal të trafikut të drogës dhe krimeve kundër personit.
Arrestimi i mbrëmshëm erdhi pas vendimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë Tiranë, e cila dha masën arrest me burg në lidhje me veprën penale “Prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake”.
Ndalimi i Stresit, emri i vërtetë i të cilit është Arkimed Lushaj, u bë pas një hetimi disamujor në bashkëpunim me Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë me metoda speciale të hetimit që janë kryer në funksion të një grupi kriminal që operon në Tiranë në lidhje me aktivitetin e kundraligjshëm me tendencë “Trafikim narkotikësh” dhe “Krimeve kundër personit”.
Policia bëri me dije se gjatë kontrollit të ushtruar i janë gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale një sasi e vogël lënde narkotike e dyshuar kokainë, një armë zjarri pistoletë e tipit “Pjetro Beretta”, si dhe 12 fishekë të modelit 7.65 mm.
Bashkë me Stresin ka qenë dhe 20-vjeçarja me inicialet P. Ç. e cila është në ndjekje penale për “moskallëzim krimi”.
Reperi i njohur Stresi është i njohur për mbajtjen e armëve pa leje dhe është arrestuar edhe herë të tjera, madje në disa raste ka publikuar vetë foto me armë në rrjetet sociale. Ai njihet dhe për përfshirjen në sherre apo konflikte të tjera dhe hera e fundit që është arrestuar ka qenë 13 prilli i këtij viti, teksa konsumonte kokainë në një lokal në Tiranë.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.