Biznes

Renditje fiktive e të ndikuar nga korrupsioni, BB pezullon pa afat publikimin e raporteve “Doing Business”

Një skandal i shpërthyer në lidhje me mënyrën se si Banka Botërore kryen renditjen e vendeve në raportet e saj periodike të të bërit biznes ka detyruar këtë institucion që të pezullojë pa afat publikimin e raporteve të reja.

Sipas një hetimi në këtë institucion, Kristalina Georgieva, sot drejtuese e Fondit Monetar Ndërkombëtar ka ndërhyrë një një raport për të përmirësuar fiktivisht renditjen e Kinës. Ndërhyrja e saj është bërë në kohën që ishte drejtuese ekzekutive e Bankës Botërore dhe me frikën se një renditje që nuk do t’i pëlqente Kinës do të pasonte ndërprerjen e fondeve për këtë institucion nga ana e Pekinit.

Georgieva mohoi akuzat e hedhura në një raport të hartuar nga zyra ligjore WilmerHale. Raporti u prezantua për Bankën Botërore ditën e enjte dhe çoi në vendimin e drejtuesve të kësaj banke për të pezulluar pa afat publikimet e raporteve “Doing Business”.

Raporti thotë se në edicionin e 2018-s të “Doing Business” të Bankës Botërore, Kina u rendit në vendin e 78-t, po aq sa ishte edhe një vit më parë me arsyetimin e disa reformave që e përmirësuan klimën e biznesit. Por, faktikisht renditja reale e propozuar ishte vendi i 85-të.

Raporti hetimor ngre pretendimet se Geogieva udhëhoqi përpjekjet për të përmiësuar renditjen e Kinës në një periudhë që ishte e angazhuar dëshpërimisht për të rritur kapitalet e Bankës Botërore.

Në raport thuhet se gjatë përgatitjeve për renditjen e “Doing Business 2018”, zyrtarë të lartë të qeverisë kineze i kishin shprehur vazhdimisht shqetësimet e tyre Presidentit të atëhershëm të Bankës Botërore, Jim Yong Kim dhe drejtuesve të tjerë të lartë të këtij institucioni se “renditja e Kinës në këtë raport nuk reflektonte saktësisht reformat ekonomike që ishin ndërmarrë”.

WilmerHale thotë se për ditë me radhë u bënë përpjekje për të përmirësuar renditjen e Kinës para publikimit të “Doing Business 2018”. Kur këto përpjekje dështuan, sipas raportit hetimor, vetë Georgieva u përfshi në ëkëtë çështje.

Sipas firmës ligjore, Georgieva udhëzoi Simeon Djankov, një prej themeluesve të raporteve “Doing Business”, që të drejtojë gjithë procesin e hartimit dhe publikimit të raportit të 2018-s. Djankov më pas punoi me grupin tjetër të punës për të identifikuar ndryshimet në të dhënat që do të përmirësonin renditjen e Kinës.

Hetimit thotë se tre treguesit e kushteve të biznesit, si lehtësia për hapjen, ligjet në fuqi dhe taksat u modifikuan me përmirësim për të ngritur Kinën me shtatë vende në renditjen totale.

Georgieva mohoi akuzat përmes një deklarate zyrtare të shpërndarë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, institucion financiar që ajo drejton sot.

“Kundërshtoj thelbësisht gjetjet dhe interpretimet që i bëhen këtij hetimi në lidhje me rolin tim në raportin e Doing Business të 2018-s të Bankës Botërore. Për këtë çështje kam mbledhur bordin ekzekutiv të Fondit Monetar Ndërkombëtar për ta informuar”, thuhet në deklaratë.

Megjithatë, raporti i ËilmerHale thotë se përmirësime fiktive në renditjen e të bërit biznes në botë ka pasur edhe në 2020 nga Arabia Saudite, për t’u renditur si e para në rajon dhe tejkaluar Jordaninë.

Justin Sanderfur, nga Qendra Globale e Zhvillimit, një organizatë që kundërshton prej kohësh raportet Doing Business si fiktive, tha për Financial Times se hetimi i WilmerHale i jep të drejtë për metodologjinë e dyshimtë të përdorur nga Banka Botërore për kryerjen e këtyre vlerësimeve.

“Renditjet lëviznin sipas qejfit kur në terren asgjë nuk ndryshonte. Raportet hartohen nën një presion të vazhdueshëm politik nga vende të ndryshme dhe kjo ishte receta e manipulimit të tyre”, thotë ai.

Banka Botërore ka reaguar përmes një deklarate të thatë e të shkurtër, por që tërthorazi pranon gjetjet e ËilmerHale. Në të, ajo shpreh “këmbënguljen për të vazhduar të mbështesë sektorin privat dhe se do të punojë për një qase të re për të vlerësuar klimën e investimeve në botë”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë