Financa Personale

Remitancat në Shqipëri mund të paguajnë borxhin publik

Shqipëria merr 1.316 milionë euro remitanca në vit sipas të dhënave nga Eurostat për vitin 2019. Duke zënë vendin e dytë pas Serbisë me 3.788 milionë euro. Të përkthyera në shqip me lekë të vjetra, remitancat vjetore në Shqipëri arrijnë vlerën e 1.3 trilionë lekë, 0.6% më shumë se borxhi publik i 2020-ës në Shqipëri që zinte 77.8% të PBB-së.

1.3 trilionë remitanca llogariten në 77.2% të PBB-së, ndërkohë, në vitin 2019 borxhi publik i Shqipërisë ishte në masën e 63.32%. Pra, remitancat mund “të paguanin borxhin publik” të Shqipërisë dhe të mbeteshin lirë 13.9% e vlerës.  

Numri i lartë i emigrantëve shqiptarë larg vendit të origjinës ka ndikuar në peshën e madhe që kanë paratë e sjella nga jashtë edhe në financat personale të shqiptarëve në Shqipëri. Në qytetin e Tiranës, rreth 6.64% e të ardhurave vjetore vjen nga remitancat, në Fier 12.11% dhe në Elbasan në shifrën më të lartë pothuajse 13%, 12.98%. Kukësi ka vlerën më të vogël të remitancave të cilat përbëjnë vetëm 4% të të ardhurave vjetore.

Gjithashtu, në këto qytete pjesa më  e madhe e të ardhurave nga të dhënat e vitit 2020, vijnë nga marrëdhëniet e punës. Rreth 63.77% në Tiranë, 55.49% në Korçë dhe 61.37% në Fier. Çfarë vihet re në hartën e shpërndarjes së të ardhurave është qyteti i Kukësit, ku pjesa më e madhe e të ardhurave vijnë nga ndihma ekonomike, 46.74% në krahasim me të ardhurat nga puna 35.12%.

Sipas të dhënave zyrtare të Instat, në vitin 2019 janë numëruar 1.641.354 shqiptarë që kaë emigruar nëpër botë, nga të cilat 862.622 janë meshkuj dhe 778.732 janë femra.

Mbështetur në të dhënat, Tirana zë vendin e parë me 79.3% të të emigruarve jashtë Shqipërisë, pasuar nga Kukësi me 69.6% dhe Dibra me 67.7%.

Qyteti që ka dërguar më pak emigrantë jashtë vendit është Gjirokastra me 41.1% dhe më pas Vlora me 49.0% .

Nga këto qytete, sipas anketimeve të Instat, Tirana kryeson listën e nivelit e jetesës, pasuar nga Korça dhe Fieri.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë