Futboll

Rekordi i Bajernit/ Gjermanja e parë që fiton 6 ndeshjet në grup, por s’është vetëm

Bajerni i Mynihut ka mundur mbrëmë Totenhemin 3-1, duke regjistruar një rekord më vete. Ishte fiorja e gjashtë për bavarezët në gjashtë ndeshje të luajtura në grup. Bajerni hyn kështu në historinë e Champions League si ekipi i parë gjerman që arrin 6 fitore në grup. Me fitoren ndaj Totenhemit të Mourinjos, bavarezët futen në grupin e vogël të skuadrave që kalojnë në fazën me eliminim direkt të Champions League me 6 fitore.

Kush janë skuadrat e tjera që e kanë arritur këtë gjë më parë? I pari që e ka arritur këtë rekord është Milani i epokës së holandezëve në sezonin 1992-1993, që i fitonte të gjitha ndeshjet në grupin e tij. Më pas e kanë bërë PSG-ja në sezonin 1994-1995 dhe Spartaku i Moskës në sezonin 1995-1996.

Nuk do të mungonin në këtë listë dy gjigantët spanjollë, Barcelona dhe Real Madrid. Katalanasit e kanë arritur në sezonin 2002-2003, kurse madrilenët janë të vetmit që i kanë fituar të gjitha ndeshjet në grup dy herë, fillimisht në sezonin 2011-2012 dhe më pas në sezozin 2014-2015. Tani kësaj liste i është bashkuar edhe Bajerni i Mynihut, që ndryshe nga kampionati, në Champions po ecën me ritëm të frikshëm.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë