Ka thyer 11 rekorde Guinness në fushën e mozaikut dhe refuzon çdo ftesë që i vjen nga disa shtete të botës, sepse dëshiron që rekordin e 12-të ta realizojë dhe ekspozojë në Shqipëri.
Saimir Strati, artist i mozaikëve, tregon për Radion Evropa e Lirë se çdo ditë krijon, e po ashtu merr ftesa për ekspozita dhe për të realizuar vepra të tjera, por shprehet i prekur që arti që bën, “nuk vlerësohet” në vendin e tij.
“Nëse ka një ftesë serioze, jam gati ta bëj rekordin e 12-të. Kam refuzuar shumë ftesa, sepse dua që ky rekord të shënohet në Shqipëri. Por, nuk do të bëj një vepër që të magazinohet dhe të ruhet diku fshehur dhe më pas të prishet”, thotë Strati.
Me keqardhje, ai thotë se shtatë rekordet që ka thyer me veprat që ka realizuar në Shqipëri, nuk kanë marrë vlerësimin që ka pritur.
Nuk është realizuar asnjë ekspozitë me to dhe nuk është marrë asnjë vendim për ta vlerësuar punën dhe veprën e tij, siç ka ndodhur në disa shtete ku ai ka realizuar vepra të tilla.
Asnjë ekspozitë në Shqipëri
“Veprat janë të ekspozuara te miqtë e mi, disa në magazina duralumini, apo në magazina të marangozëve, i mbështjellim, i fusim nëpër cepa. E turpshme është, por ç’të bëjmë”, thotë Strati.
Ai thotë se nuk ka mundësi të gjejë një sipërfaqe rreth 200 metra katrorë për vendosjen e veprave të veta, por shprehet i bindur se po ta gjente, ajo do të kthehej në një atraksion për turistët.
“... sepse është gjë e rrallë. Me 11 rekorde Guinness nuk ka asnjë tjetër në fushën e mozaikut - 7 vepra të realizuara në Shqipëri, asnjë e ekspozuar”, thotë artisti nga Vlora.
“T’ju jap vetëm një shembull: në Kanada u bë lëmshi më i madh. U vendos vepra në një qendër ndërkombëtare kulturore. Duhej paguar 110 dollarë për ta parë dhe kishte dyndje për ta parë”, tregon ai.
Strati shprehet i zhgënjyer me politikën. Thotë se prej vitit 2006, kur ka shënuar rekordin e parë Guinness, ka bërë thirrje përmes medias për vlerësimin e artistëve, kryesisht atyre të artit figurativ.
I pyetur se përse nuk ka ekspozitë në Shqipëri, ai përgjigjet thjesht: sepse nuk ka ftesë.
“Kur shkon pa u ftuar, e gjen pashtruar - është thënie e urtë e popullit dhe duhet ta dëgjojmë”, thotë artisti 58-vjeçar.
Keqardhje shpreh edhe për faktin se në Shqipëri nuk ka ndonjë galeri arti, që t’i ketë hapësirat e veçanta për artistët e vjetër, për ata të rinj të talentuar dhe për artistë me aftësi të kufizuara, të cilat, siç thotë, i gjen në vende të ndryshme të botës.
“Sa metër kub beton ka në Tiranë? Po ngrihen kulla për të shkuar shumë lart, ndoshta te Zoti… Po t’i pyesësh se ku janë veprat e artit në këto kulla, nuk ka”, shprehet Strati.
Vlerësime në disa vende të botës
Përtej zhgënjimit në Shqipëri, Strati thotë se është ndjerë shumë i vlerësuar dhe i lumtur për duartrokitjet që ka marrë në Kosovë, Portugali, Turqi etj.
Në Kosovë ai ka realizuar portretin e Nënë Terezës, që menjëherë pas certifikimit është vendosur në Muzeun Kombëtar të Kosovës, dhe me vendim të Parlamentit të vendit është cilësuar “trashëgimi kulturore”.
“Vizitohet, mirëmbahet, pra është vlerësuar. Po kështu në Portugali, sa u certifikua vepra, portreti i shkrimtarit Jose Saramago, realizuar me tapa, u mor në mbrojtje nga shteti dhe u fut brenda 24 orësh në guidën turistike. Është mozaiku më i madh i realizuar me tapa”, thotë Strati.
“Sapo jam kthyer nga një ceremoni fantastike për 10-vjetorin e kësaj vepre. Kam marrë duartrokitje pafund dhe jam përlotur, sepse veprat janë si fëmijët”, thotë artisti.
Në Turqi ai ka realizuar portretin e udhëheqësit të dikurshëm, Kemal Ataturk. Kujton se në fillim kishte shumë mosbesues.
“I dëgjoja të thoshin se ky artist shtatshkurtër do ta bëjë Ataturkun e madh?! Por, në ceremoninë pas certifikimit, edhe prej tyre mora vlerësime të larta. Vepra është vendosur në Kapadokia, në një nga qendrat më të mëdha turistike, dhe mora çelësin e artë të qytetit”, tregon Strati.
Sipas tij, të gjithë thonë se sekreti i të bërit mozaik është durimi, por për veten thotë se është i paduruar, andaj “nuk e ndjen lodhjen.
“Ka gjithmonë një motiv, në aspektin personal, estetik etj.”, thotë ai.
Në dhjetor tregon se do të jetë në Itali për një ekspozitë me teknika të reja. Thotë se ka zgjedhur ta pasqyrojë detin duke krijuar mozaik me guaska.
Ëndrra e tij: Një Guinness për Skënderbeun
Ëndërr e tij thotë se është që Guinnessin e 12-të ta marrë për portretin e Skënderbeut.
“Kam shumë dëshirë ta bëj, por do të doja të zinte vend diku. Ndaj, duhet një ftesë, jo vetëm përmes shtetit, të jetë një ftesë serioze nga dikush që ka mundësi, hapësirë...”, thotë Strati.
“Jam gati edhe për një rekord tjetër, edhe pse një pjesë të atyre që i kam, shpesh i harroj, ngase nuk janë të ekspozuara. Të vetmen dëshirë kam këtë: nuk ka lidhje me elementin monetar, por kur bëhet fjalë për diçka të veçantë në botë, të trajtohet si e tillë”, thotë ai.
“Aurora” e Stratit
Një nga punimet me të cilat mburret, është edhe portreti i bashkëshortes së tij, Aurorës, me të cilën jeton prej 35 vitesh.
Portreti i saj, sipas tij, përmbledh dëshirën dhe ëndrrën e një artisti.
“Ka brenda dëshirën për ta bërë këtë portret për njeriun më të dashur në 35 vjet - nuk ka qenë lehtë, përmban histori, ndjesi - dhe dëshirën që çdo artist ka të bëjë një kryevepër”, thotë 58-vjeçari.
“Titullohet ‘Aurora’ - agimi i mëngjesit, i bukur, i shndritshëm. Përmban një portret dhe një sfond të shndritshëm dhe një vorbull drite që nuk preket dot, sado që të kesh dëshirë të madhe. Është ajo që kam dashur gjithnjë: veprën ta shikosh, ta shijosh, por mos ta prekësh dot, sepse ajo duhet të jetojë përtej kohës”, thotë ai për mozaikun me të cilin e ka befasuar bashkëshorten pak kohë më parë.
Prej disa vitesh, edhe Aurora i është përkushtuar mozaikut, por thotë se ky pasion ka qenë brenda saj shumë kohë më parë.
“Arti e dashuria për të kanë ekzistuar brenda meje. Njohja me Saimirin e zbuloi atë pasionin dhe talentin që e kisha. Duhej njeriu i duhur për ta nxjerrë në pah”, shprehet Aurora për Radion Evropa e Lirë.
Ajo ka bërë disa punime dhe më të veçantin që zbulon, është ai me të cilin do të marrë pjesë në një ekspozitë në Gjilan më 7 tetor, në kuadër të “muajit rozë”.
“Jam e lumtur që do të jem pjesë e ekspozitës së arteve figurative në Gjilan. Në zhanrin e mozaikut do të jem vetëm unë. Një nga arsyet pse e pranova ftesën, është shprehja e shkrimtarit William Shakespeare: ‘Brishtësi ke emrin grua’. Brishtësinë e kam sjellë me siluetën e një gruaje fine dhe elegante dhe përballë saj është një pasqyrë, për të kuptuar refleksionin e çdo gruaje kur ta shohë mozaikun - të kuptojë që përbri saj mund të jetë një grua e prekur nga kanceri i gjirit”, thotë Aurora.
Çifti, prej kohësh, ka hapur një studio, ku u mëson fëmijëve artin e të bërit mozaik.
Ata e morën këtë vendim edhe për faktin se asnjëri prej dy djemve të tyre nuk e ka trashëguar këtë pasion, por edhe kanë dashur që leksionet që japin në vende të ndryshme të botës, të marrin vlerë edhe në Shqipëri.
Ata thonë se ka shumë fëmijë të interesuar që të krijojnë diçka të bukur nga duart e tyre.
*Marrë nga REL
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.