Futboll

Reja: Shqipëria shembull për botën, krenar për miqësinë midis dy vendeve

Mediat italiane i kanë bërë jehonë mjekëve dhe qeverisë shqiptare për ndihmën e dhënë në këto ditë të vështira. Në lidhje me këtë situatë ka folur edhe trajneri italian i Kombëtares shqiptare, Edi Reja, i cili nëpërmjet një interviste për “Corriere dello Sport” ka folur për gjestin e Shqipërisë dhe fjalët e kryeministrit Edi Rama, në raportin vëllazëror mes dy shteteve.

‘’Ishte një gjest i jashtëzakonshëm, duke demonstruar se sa të afërt janë me Italinë. Edi Rama bëri një gjest të jashtëzakonshëm duke dërguar mjekët më të mirë shqiptarë në një zonë të prekur si Bergamo, ku unë kam punuar. Ishte një surprizë e bukur për mua. Jam krenar që drejtoj atë kombëtare dhe që i thashë ‘po’ propozimit të tyre. Në orët e fundit kam marrë shumë mesazhe: lojtarë, trajnerë, miq dhe të njohur, të gjithë janë prekur nga njerëzimi i treguar nga populli shqiptar. Unë mendoj se është një shembull që duhet përhapur në nivel botëror. Një komb më pak i pasur në krahasim me shumë shtete të tjera në Evropë që tregoi solidaritet të pakrahasueshëm’’.

‘’Unë e njoh mirë Edi Ramën, ishte edhe ai që më bindi të pranoja propozimin e federatës. E kisha takuar në Romë kur stërvitja Lazion pas një ndeshje me Juventus, për të cilën ai është tifoz. Ai erdhi me Igli Tare. Ne organizuam një darkë në hotelin tim afër Ponte Milvio, ku ishte i pranishëm edhe Lotito. Vitin e kaluar më telefonoi dhe më tha: ’Çfarë po bën në shtëpi? Pse nuk merrni drejtimin e Shqipërisë?’ Jam krenar që drejtoj atë kombëtare dhe që i thashë ‘po’ propozimit të tyre.’’


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë