Kombetarja

Reja plot besim: Turqia, ndeshja e ndryshimit të madh të Shqipërisë

Edi Reja është dukur shumë i qetë në konferencën për shtyp. Pas disa momentesh festive, ku drejtuesit e FSHF-së dhe ekipi i kishin përgatitur një surprizë të vogël me rastin e 74-vjetorit të lindjes, ai ka dalë para gazetarëve dhe ka folur për ndeshjen e rëndësishme me Turqinë. Ka shprehur besim për rezultat pozitiv, ka kërkuar ndeshjen perfekte dhe pret që skuadra të konfirmojë ndryshimin e nisur ndaj Islandës.

“Grupi i lojtarëve po funksionon mirë, ka punuar mirë në çdo aspekt. E vlerësojmë Turqinë, sepse ka lojtarë kalibri, si Burak Jillmaz, Çalahanglu dhe Tosun, që janë sulmues të rrezikshëm. Na duhet të bëjmë ndeshjen perfekte dhe të jemi në gjendjen më të mirë, të tregojmë gjithë potencialin tonë në fushë, sepse në të kundërt jemi të humbur. Shqipëria i ka të gjitha mundësitë për një përfaqësim dinjitoz. Mungesat? E dimë rëndësinë e Hysajt, por edhe ai që do të luajë në vendin e tij, do të bëjë mirë. Jemi përpara një testi të rëndësishëm . Kjo ndeshje tregon, nëse po përmirësohemi në aspektin individual dhe kolektiv. Do të na japë shumë përgjigje dhe uroj të jenë pozitive. Kemi ndryshuar shumë gjëra, kanë ardhur lojtarë të rinj dhe dua konfirmimin se jemi në rrugën e duhur.

https://www.facebook.com/FederataShqiptareeFutbollit/videos/2468362733277020/?t=8

E kam parë ndeshjen e parë të Shqipërisë me Turqinë, por kam parë edhe ndeshje të tjera. Turqia luajti mirë në Shkodër dhe fitoi 0-2. Ndeshja e nesërme duhet përballuar me vendosmëri. Ekipi duhet të tregojë qartësi taktike dhe të luftojë fort fizikisht. Kundërshtari është i fortë në goditjet standarde dhe ne kemi punuar në këtë drejtim. Duhet të jemi të vëmendshëm në çdo sekondë për të bërë lojën tonë dhe për të marrë rezultat. E them përsëri, më intereson veçanërisht të shoh rritjen e Shqipërisë në krahasim me ndeshjen e fundit. Nuk mund të humbim vigjilencën, sepse mund ta pësojmë”, - ka theksuar mes të tjerash trajneri italian i kuqezinjve.

Në fund, pyetur për formacionin, trajneri Reja u shpreh se pak a shumë do t’i besojë ekipit që fitoi me Islandën, me përjashtim të zëvendësuesit të Hysajt. Ai tha se nuk do të ketë debutues,q ë do të thotë se Kumbulla nuk do të luajë dhe kështu mund t’i takojë Veselit ose Roshit të jenë titullarë. “Nuk ka debutues në këtë ndeshje. Në stol do të jenë 2 lojtarë, që presin shansin e tyre dhe mund të futen në fushë si zëvendësues”, përfundoi trajneri i kuqezinjve. Ndeshja me Turqinë luhet nesër, në orën 20:45, në stadiumin e Fenerbahçes.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë