Kombetarja

Reja pa frikë: Duam kreun e grupit. Bjellorusia, vendimtare

Pas një mungese të gjatë, e kushtëzuar nga situata e pandemisë, trajneri i Kombëtares, Edi Reja, ndodhet në Tiranë dhe sot ka dalë në konferencë shtypi. Pasi ka bërë publike listën e lojtarëve të grumbulluar për ndeshjet me Bjellorusinë dhe Lituaninë, të vlefshme për Ligën e Kombeve, trajneri ka komentuar zgjedhjet e tij, gjendjen e skuadrës dhe objektivin e kuqezinjve në Ligën e Kombeve.

“Jetojmë në një moment të vështirë, për shkak të pandemisë. Kam biseduar me lojtarët, disa kanë nisur kampionatet dhe janë kthyer në fushë, por do t’i shikojmë të gjithë në grumbullim. Shpresojmë të jenë në formë sa më të mirë. Po i monitorojmë të gjithë lojtarët në vende të ndryshme të Europës. Çdo vend ka mentalitetin e vet, ashtu si edhe kampionati shqiptar. Është e pamundur t’i kesh të gjithë në grumbullim.

Trajneri Reja gjatë një grumbullimi. Gazeta Si, 29 gusht 2020

Po të shohim ndeshjet e fundit, kemi bërë paraqitje shumë të mirë, skuadra po rritet. Më shqetëson gjendja e lojtarëve, sepse akoma nuk i kam parë. Luajmë ndaj Bjellorusisë, një nga kundërshtarët më të fortë në grup, megjithatë do tentojmë të arrijmë objektivat tona. Kam grumbulluar disa të rinj me qëllimin që në 2024-ën të kemi grup sa më të konsoliduar. Lista është e gjatë, pasi nuk e dimë si do të vijnë lojtarët, duhet t’u nënshtrohen testeve. Nuk e di, nëse ndonjë lojtar mund të rezultojnë pozitiv apo me probleme fizike.

Lista do ndryshojë, nëse është nevoja. Është një situatë e paprecedentë, po të luanim miqësore do të ishte më mirë. Ka shumë pikëpyetje dhe ne do të vazhdojmë me pikat e sigurta të ekipit. Do jetë e vështirë, por shpresoj të bëj zgjedhjet e duhura. Kumbulla është lojtar i rëndësishëm, por sapo më njoftuan se është dëmtuar. Diçka që ndodh. Çepele? Kisha folur me prindërit e tij. Është e vështirë të marrësh lojtarë nga kombëtaret e tjera, ai është një lojtar i perspektives. Ka shumë shqiptarë që kanë lindur në Europë dhe presin fillimisht një ftesë nga kombëtaret përkatëse. Ka lojtarë interesantë që po punojmë t’i afrojmë, por duhet të jemi shumë të kujdesshëm për të marrë lojtarët më cilësor.

Ndeshja e parë do të jetë vendimtare. Nëse luajmë mirë, do ketë entuziazëm. Ndeshjet pa tifozë duken si miqësore dhe nuk e di si do reagojnë lojtarët. Është një situatë e re, por kemi një ekip që ka potencial. Do të punojmë në aspektin psikologjik me lojtarët për të marrë rezultate sa më pozitive. Objektivi është të fitojmë grupin. Kemi folur me presidentin Duka dhe jemi të bindur për të arritur këtë objektiv. Kemi luajtur mirë me shumë skuadra gjatë kohëve të fundit. Shqipëria ka një skuadër që mund të përballet me çdo rival.

Kombëtarja duke efstuar një gol. Gazeta Si, 29 gusht 2020

Kam folur me Hysajn dhe Gjimshitin, që kanë bërë shumë ndeshje dhe kanë qenë të rraskapitur. Grezda? Çfarë të them, u tërhoq vetë. Mavrajn e kam konsideruar gjithmonë lojtar të madh. Shpresoj shumë që lojtarët që vijnë në grumbullim të vijnë në gjendje të mirë. Klubet kanë frikë për lojtarët se mos dëmtohen, mos sëmuren, por ne na intereson fitorja për të marrë vendin e parë në grup. Kemi probleme me Zvicrën, që nuk e ka ndarë, nëse do t’i lejojë lojtarët të vijnë apo jo. Rasti i Zvicrës është i çuditshëm, por UEFA nuk ndërhyn, sepse u referohet rregullave të qeverive të ndryshme. Doja të shikoja Kamberin, nëse do jetë pjesë e planit tim për të ardhmen. Në nëntor do integrojmë disa të rinj, pasi punojmë për të tashmen, por edhe për të ardhmen”, - tha trajneri Reja në konferencë.

Ai dha një mendim edhe ecurinë e skuadrave shqiptare në Kupat e Europës: “Është një moment shumë i mirë për futbollin shqiptar. Skuadrat shqiptare kanë bërë një paraqitje shumë të mirë dhe duhet të jemi krenarë. Futbolli shqiptar po rritet, kam folur edhe me presidentin Duka që ka shumë dëshirë të nxisë futbollin e të rinjve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë