Kombetarja

Reja kthen besnikët e tij, do një Shqipëri dinjitoze për festën e madhe

Shqipëria mbyll sot eliminatoret e Europianit në një ndeshje, ku vëmendjen e ka marrë inaugurimi i “Air Albania Stadium”. Sfida me kampionët e botës konsiderohet një festë e madhe. Kuqezinjtë, duke qenë të fokusuar te kjo ndeshje, “harruan” të bënin detyrën ndaj Andorrës dhe lanë 2 pikë. Shqipëria nuk ka objektiv, por inaugurimi i stadiumit kërkon së paku një paraqitje dinjitoze, pastaj rezultati është diçka tjetër.

Trajneri Edi Reja, i mërzitur pas atij barazimi në “Elbasan Arena” ndaj Andorrës, ka folur me nota optimiste për përballjen me Francën. Ai do t’u përgjigjet kampionëve të botës me formacionin e tij tip, ku kthehen të gjithë titullarët, me përjashtim të Sokol Cikalleshit të dëmtuar. Porta do të jetë në duart e Tomas Strakoshës, Berisha e luajti ndeshjen e vet me Andorrën. Në mbrojtje kthehet Dermaku, i cili përbën treshen bashkë me Ismajlin dhe Gjimshitin. Veseli ulet në stol, por nuk është çudi ta shohim atë në të majtë të mesfushës me 5 lojtarë.

Trajneri Edi Reja në tapetin e "Air Albania Stadium". Gazeta Si, 17 nëntor 2019

Në këtë rol titullar konsiderohet Lenjani, i cili nuk u aktivizua ndaj Andorrës, por Reja mund të surprizojë edhe me Veselin. Në të djathtë kthehet kapiteni Elseid Hysaj, ashtu si Bare dhe Gjasula në qendër të mesfushës. Ledian Memushaj, kapiten në ndeshjen e fundit, do të jetë sërish në fushë nga minuta e parë, kurse Odise Roshi sot e nis nga stoli, me gjasa për të luajtur në pjesën e dytë.

Bekim Balaj do të jetë partneri i Rei Manajt në sulm. Ai është sulmues me karakteristika gati të njëjta me Cikalleshin dhe trajneri Reja me këtë dyshe synon t’i shënojë Francës në stadiumin e ri. Në stol nuk mungojnë alternativat. Florian Kamberi, sulmuesi i grumbulluar për herë të parë me Kombëtaren, nuk mundi të luante këtë herë, pasi ende nuk është pajisur me dokumentaconin përkatës.

Formacioni i mundshëm i Shqipërisë, 3-5-2
Strakosha
Ismajli Dermaku Gjimshiti
Hysaj Bare Memushaj Gjasula Lenjani
Balaj Manaj


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë