Kombetarja

Reja: Kam besim te të rinjtë, kemi ardhur për fitore në Lituani

Trajneri i Kombëtares, Edi Reja, një ditë para ndeshjes me Lituaninë, ka theksuar se Shqipëria do të luajë për fitore në këtë transfertë. Konferenca për shtyp ka zgjatur shumë pak, pasi në sallë ishte vetëm një gazeta lituanez, i cili i bëri dy pyetje trajnerit të kuqezinjve.

Reja komentoi së pari ndeshjen e parë me Lituaninë, ku Shqipëri humbi, edhe pse luante në fushën e saj: “Lituania luajti shumë mirë në Shqipëri, na bëri presing dhe na hoqi iniciativën e lojës. Bëri presing në rritje dhe pastaj shënoi pas një gabimi tonë. Luajti një ndeshje me intensitet të lartë, duke treguar gjendje të mirë fizike”, - theksoi trajneri italian.

Pastaj fokusi te ndeshja e nesërme: “Ne duhet të shfrytëzojmë maksimalisht mundësitë tonë, të shfrytëzojmë hapësirat, që me siguri do të jenë të pakta. Kemi kualitet dhe do të luajmë për të fituar në këtë ndeshje. Mungesat? Kemi 10 lojtarë të rinj, që nuk kanë eksperiencë, por një lojtar që është i mirë 30 vjeç, është i mirë edhe kur është 18 vjeç. Janë lojtarë që i kemi ndjekur nga afër dhe besoj shumë tek ata.

Ndryshimi duhet bërë gradualisht në një ekip kombëtar, por jam i detyruar që t’i ingranoj më shpejt në skuadër për situatën ku jemi, pasi kemi disa mungesa. Federata Shqiptare ka një program për të futur lojtarë të rinj në Kombëtare dhe ne këtë rrugë po ndjekim”, - përfundoi Reja. Kuqezinjtë mbërritën sot në Lituani, ku kanë zhvilluar edhe seancën e fundit stërvitore. Në dyshim mbetet Abrashi, ndërsa për formacionin trajneri Reja duket se në plan të bëjë disa lëvizje në krahasim me ndeshjen e fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë