Shqipëria luan nesër ndeshjen e katërt në grup në Ligën e Kombeve. Luan në transfertën e Lituanisë, që ka po aq pikë sa kuqezinjtë, 4 pikë, ashtu si dhe Bjellorusia dhe Kazakistani. Kapiteni i Kombëtares, Etrit Berisha, doli ditën e sotme në konferencën për shtyp në krah të trajnerit Edi Reja, ku u shpreh se ky takim do të jetë kyç për rrugëtimin e Shqipërisë.
Lituania- “Unë mendoj që Lituani luajti shumë mirë në ndeshjen e parë. Taktikisht kanë luajtur shumë mirë dhe na kanë vënë në vështirësi. Ndoshta edhe ne nuk e kemi bërë ndeshjen më të mirë që duhet të bënim. Por tani vlen ndeshja e nesërme, ku ne duhet të jemi jashtëzakonisht të përqendruar dhe përgatitur. Do të jetë një ndeshje kyçe për rrugëtimin tonë.

Ndeshja e fundit- Ndeshja kundër Kazakistanit ka qenë ndeshje pozitive, ku kam parë një grintë shumë më të mirë se kundër Lituanisë. Gjithë çunat e dinë rëndësinë e ndeshjes. Nesër duhet të japin 110% për të arritur objektivin tonë. Kundër Lituanisë kemi humbur dhe nuk duhet të lejojmë që ata të marrin epërsinë.
Lojtarët e rinj- Në grup kemi lojtarë të rinj. Ka shumë prurje të reja për shkak edhe të mungesave. Djemtë e rinj kanë kualitete, por iu duhet kohë që të luajnë me Kombëtaren dhe të ambienton. Duhet të japim maksimumin e tyre. Ne më të vjetrit duhet t’i ndihmojmë me të gjitha mënyrat. Kur të arrihet vetëbesimi në skuadër, gjithë ekipi do të përfitojë”, u shpreh Etrit Berisha.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.