Futboll

Reja i bindur për vazhdimin: Vëzhgim në gjithë Europën për Shqipërinë e re

Akordi në parim është arritur kohë më parë, tani mbetet vetëm firma, që trajneri italian i Kombëtares, Edi Reja, e konsideron thjesht një formalitet. Reja ndodhet në Tiranë aktualisht për të saktësuar detajet e fundit të kontratës me presidentin e FSHF-së, Armand Duka. Ai ka larguar zërat që e çojnë te Napoli, duke pohuar se është shumë entuziast për aventurën kuqezi dhe mendon vetëm për të.

“Po, do të takohem me presidentin Duka për rinovimin, nuk kemi nevojë për letra, sepse kemi folur më parë dhe kemi gjetur akordin. Kam ardhur bashkë me bashkëpunëtorët e mi, Duka ka një plan konkret dhe jam dakord me të. Kemi folur edhe më parë për këtë projekt dhe shpresoj të jemi në lartësinë e duhur. Sipas asaj që kemi folur, nuk ka pika që na ndajnë. Nuk ka çështje pagese, punoj edhe pa u paguar te Shqipëria. Do të më pëlqente të qëndroja sa më gjatë dhe nëse jam mirë si tani, mund të qëndroj edhe 10 vjet.

Duhet të programojmë e më pas të shohim rezultatet e ekipit, ku ka shumë punë për t’u bërë. Jam i interesuar për projektin dhe jam i lidhur tashmë me Shqipërinë, aq më shumë në këtë moment të vështirë për Shqipërinë. Strategjia jonë është e qartë, vazhdojmë punën me të rinjtë, të cilët i shërbejnë bazës së Kombëtares së Shqipërisë. Do të vëzhgojmë lojtarë në gjithë Europën, duke u përqendruar te të rinjtë. Synimi është të hedhim bazat e një ekipi që të japë besim për rezultate”, ka thënë mes të tjerash trajneri italian, Reja.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë