Drejtori i përgjithshëm i ALUIZNI-t, Artan Lame, ka deklaruar paraditen e së enjtes se duke filluar nga dita e hënë në datë 17 shtator do të fillojë procedura për regjistrimin e banesave të ndërtuara para vitit 1991. Lame ka treguar procedurat që duhet të ndjekin qytetarët për të mbyllur procesin e pronësisë, ndërsa numri i ndërtimeve që mendohet të trajtohen nga ky vendim është 40-60 mijë.
“Kjo është sfida e ardhshme e qeverisë. Duke nisur nga 17 shtatori, të gjithë ata që nuk kanë dokument pronësie për banesat para ’91, duhet të paraqiten në sportelet tona për aplikim. Të mbledhin çdo dokument që kanë në lidhje me shtëpitë e tyre të paregjistruara. Kjo nuk është e detyrueshme, por çdo dokument që mund të keni ndihmon institucionin për dosjen. Formulari i aplikimit mund të shkarkohet edhe në faqen e internetit të ALUIZNI-t”, shpjegoi Lame.
“Meqenëse kemi të bëjmë me një problem që prek mijëra familje, do të kërkoja mirëkuptimin e qytetarëve që të mos krijojnë radhë. Të paraqiten fillimisht ata që e kanë të domosdoshme dokumentin e pronësisë: ata që duan ta shesin shtëpinë, ata që duan të marrin kredi ose ata që janë për shpronësim sepse u kalon rruga te shtëpia”, u shpreh Lame.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.