Sociale

Regjistrimi i adresës së banimit bëhet i detyrueshëm, përndryshe nuk merr dot as një shërbim

Qytetarët që nuk regjistrojnë adresën e saktë në e-Albania ose në zyrat e Gjendjes Civile rrezikojnë të mos marrin shërbime, përfshirë dhe marrjen e një certifikate.

Lajmin e ka bërë të ditur ministri i Brendshëm Bledi Çuçi gjatë prezantimit të fushatës për regjistrimin e banesave, ku të pranishëm ishin edhe kryetarët e bashkive, të cilëve iu kërkoi bashkëpunimin në lidhje me këtë proces.

Sipas Çuçit, regjistrimi i vendbanimit, sjell përfitime dhe akses në shërbimet publike për të gjithë qytetarët. Ai theksoi se deri sot janë vetëm 750 mijë familje që kanë një adresë unike me 8 komponentë, në një kohë që një adresë të tillë duhej të kishte çdo qytetar.

“Në këtë proces kërkohet angazhimi i të gjithëve. Do të vijë një ditë që të paktën shërbimet që ofrohen nga ne, mos të ofrohen pa saktësuar adresën. Nuk do ta marrë më nëse ai nuk saktëson dhe nuk konfirmon adresën sipas sistemit unik”.

Çuçi saktësoi se ky proces do të shtrihet edhe për shërbime të tjera me detyrim. “Ky proces i rëndësishëm i marrëdhënies me qytetin dhe shtetin duhet të përfundojë. Pasi të jenë saktësuar adresat, do lidhen me regjistrin kombëtar të gjendjes civile”, - tha ai.

Çuçi bëri me dije se për të gjithë personat që nuk mund të aksesojnë ‘online’ apo nuk kanë mundësi të përdorin teknologjinë, zyrat e gjendjes civile do të jenë të hapura në ndihmë të qytetarëve.

“Qytetari mund të shkojë në zyrën e gjendjes civile dhe e bën verifikimin shumë kollaj. Këtu pushteti lokal dhe bashkitë kanë një rol të jashtëzakonshëm. Duhet që bashkitë duhet të nxisin qytetarët që nuk kanë akoma një adresë të shkojnë dhe të deklarojnë adresën në gjendjen civile. Çdo shtetas duhet ta ketë një adresë për shumë arsye”, - vijoi ministri.

Çuçi po ashtu paralajmëroi se adresa duhet e sakte për dy arsye: “E para, nëpërmjet shërbimit postar ku ne kemi marrëdhënien me sistemin gjyqësor, me sistemin arsimor për regjistrimet e fëmijëve në shkolla, me sistemin bankar, me sistemin fiskal. Së dyti, shërbimet e gjendjes civile, certifikata personale, regjistrim lindjeje, certifikatë martese, të gjitha këto shërbime kërkojnë që shtetasi të ketë një adresë sipas sistemit të adresave, të identifikueshme”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë