Bledar Hoti-Në kulmin e debatit mes maxhorancës dhe opozitës për Vettingun në politikë dhe çështjen “Xhisiela”, socialistët paralajmërojnë se kanë gati draftin për Reformën Zgjedhore, duke i bërë ftesë opozitës që t’i bashkohet procesit për ndryshimin e Kodit Zgjedhor.
Apeli u bë nga bashkëkryetari socialist për Reformën Zgjedhore, Bledi Çuçi, i cili deklaroi për mediat se pavarësisht se opozita ka bojkotuar komisionin e posaçëm për Reformën Zgjedhore projektligji është gati.
“Normalisht që opozita është në bojkot, nuk ka ardhur. Ka braktisur edhe komisionin për Reformën Zgjedhore, megjithatë ekspertët e maxhorancës dhe ekspertët e kontraktuar nga ambasada gjermane për draftimin e amendimeve që adresojnë rekomandimet e OSBE/ODIHR janë duke punuar. Javën e ardhshme do kemi një draft, të cilin do ta bëjmë publik, do ua përcjellim edhe partive të tjera, Shoqërisë Civile, një draft që pasqyron rekomandimet e OSBE/ODIHR. Ne po ecim me të gjithë paketën që adreson rekomandimet e OSBE/ODIHR. Shpresoj që edhe opozita të vijë dhe të bëhet pjesë e këtij procesi deri në fund. Ne si maxhorancë do kryejmë detyrimet tona dhe përgjegjësinë tonë që kemi përpara shqiptarëve. Reforma nuk ka vdekur, ende”, deklaroi socialisti Çuçi.
Socialistët gjatë kësaj kohe kanë qenë të prirur më tepër arritur konsensus për reformën zgjedhor, kjo pas apeleve të lëshuara nga ana ndërkombëtarëve për të realizuar ndryshimet e kërkuara përpara mbajtjes së zgjedhjeve lokale.
Nga ana tjetër demokratët kanë bllokuar për momentin negociatat për reformën për shkak të bojkotit të Parlamentit.
Deklaratës së Çuçit për t’iu bashkuar draftit të socialistëve iu kundërpërgjigj bashkëkryetari demokrat Oerd Bylykbashi.
Ai deklaroi se nuk ka ndonjë konsensus me socialistët, duke e cilësuar si të njëanshëm këtë iniciativë të socialistëve.
“PS e paska gjetur konsensusin për Reformën Zgjedhore. PS deklaron sot se do të bëjë propozimet e saj të njëanshme për Kodin Zgjedhor. Arsyeja është shumë e thjeshtë: Po sot, nën pranga për dhunimin e një vajzë të pafajshme, i biri i Rrahman Rrahjes kërcënon opozitën: Do ta shihni në zgjedhje. Zëdhënës dhe provë më të mirë të paktit të PS me krimin për të dhunuar zgjedhjet nuk ka! Kjo është reforma që propozon PS!”, shkruan Bylykbashi në Facebook.
Në mesin e muajit shtator një grup i ekspertëve të Komisionit të Venecias vizitoi Shqipërinë. Në përbërje të këtij delegacioni ishin edhe ekspertët e OSBE-së dhe të ODIHR. Delegacioni ka pasur takime me përfaqësuesit e maxhorancës dhe të opozitës të komisionit të posaçëm të Reformës Zgjedhore, të partive politike, si dhe të Ekzekutivit shqiptar.
Pas këtij takimi, maxhoranca ka avancuar hartimin e amendamenteve, pavarësisht se opozita ka bojkotuar Parlamentin. Palët kanë caktuar si ekspertë dy ish-deputetët demokratë, Ilir Rusmali për PD-në dhe Viktor Gumi për PS-në, të cilët më parë kanë qenë dhe përgjegjës për reformën zgjedhore.
Votimi elektronik dhe vota e emigrantëve janë dy nga risitë e kësaj reforme, projekte që mbi të gjitha duhet të realizohen të plota me zgjedhjet parlamentare të vitit 2021.
Të paktën për votën e emigrantëve, ky është konsensusi mes palëve. Ndërsa sa i përket votimit elektronik është menduar që të realizohet i pjesshëm në zgjedhjet lokale, si projekt pilot për t’u shtrirë më pas në të gjithë Shqipërinë pas 3 vitesh.
Ndërsa një tjetër ide është që komisionet zgjedhore të niveleve të dyta apo të treta të jenë të depolitizuara, pra që anëtarët të mos jenë përfaqësues të partive politike.
Në datën 8 tetor, PS pritet të bëjë publike amendimet e saj në Kodin Zgjedhor të hartuar nga ekspertët e saj. Në të do të shihet nëse përfshihen çështjet e mësipërme ose jo.
Për ndryshimin e Kodit Zgjedhor duhen 84 vota të deputetëve të Kuvendit. Gjithsesi eksperienca ndër vite ka treguar se asnjëherë këto ndryshime nuk janë votuar kurrë në mënyrë të njëanshme, por vetëm me konsensus apo me marrëveshje paraprake mes partive politike, PS-PD.
Në rast të mos konsensusit zgjedhjet lokale parashikohen të zhvillohen Kodin e vjetër Elektoral.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.