Politike

Reforma zgjedhore; PD ngre grup pune, PS “çan” në tre pjesë Komisionin

Publikisht nuk ka ende asnjë kontakt mes mazhorancës dhe opozitës për reformën zgjedhore, por Partia Demokratike ka ngritur grupin e saj të punës me juristë dhe ekspertë për hartimin e një drafti për reformën zgjedhore.

Ivi Kaso, Sekretar për Çështjet Zgjedhore i Partisë Demokratike thotë për Gazetën “Si” se puna bazohet tek pesë propozimet e hedhura në tryezën e OSBE-së të zhvilluar më 25 shtator. Njëri prej këtyre propozimeve është ngritja e një strukture jashtëparlamentare të drejtuar nga ndërkombëtarët.

Pra, nisja paralelisht e punës nga ana e Partisë Demokratike për të pasur një propozim konkret brenda këtij vitit nuk do të thotë që PD do të pranojë ofertën e mazhorancës për t’u ulur në Komisionin Parlamentar të Reformës Zgjedhore të drejtuar nga Damian Gjiknuri.

Puna e grupit është në fazë fillestare, por propozimet janë gati dhe të shqiptuara në më shumë se një rast nga vetë Lulzim Basha dhe zyrtarë të tjerë demokratë. Në thelbin e tyre qëndrojnë shkëputja e parave të pista dhe krimit nga përfshirja në fushatë elektorale, përmes propozimeve që ndryshojnë financimin e partive politike dhe shtojnë kontrollin e këtyre financimeve, votimi elektronik, administrata zgjedhore, por edhe vota e emigrantëve.

Mes përparësive të PD duket se nuk është propozimi i aleatëve më të vegjël opozitarë që kërkojnë ndryshimin e sistemit zgjedhor. Por, PD nuk përjashton as mundësinë e ndryshimit të sistemit dhe as mundësinë që në të ardhmen, nëse do të ketë një draft të dakordësuar me mazhorancën në një strukturë jashtëparlamentare, propozimi të kalojë përmes filtrave të Komisionit Parlamentar për Reformën Zgjedhore dhe më pas për miratim në seancë plenare.

Megjithatë, në vazhdën edhe të deklaratës së bërë nga Kryeministri Edi Rama, që paralajmëroi se mazhoranca do të vazhdojë punën me opozitën parlamentare për miratimin e reformës zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR me apo pa pjesëmarrjen e PD-së, në Kuvend janë ngritur tre nëngrupe si pjesë e Komisionit Parlamentar për këtë temë.

Grupi i parë me Damian Gjiknurin e Bashkim Finon nga socialistët dhe Myslim Murrizin dhe Nimet Musajn nga opozita e re do të shqyrtojë mundësitë e ndryshimit të sistemit zgjedhor. Grupi i dytë, me anëtarë Blerina Gjylameti e Klotilda Ferhati nga PS dhe Arben Elezi dhe Ralf Gjoni nga opozita e re do të diskutojnë çështjen e financimit të partive, ndërsa grupi i fundit me Alket Hysenin e Adnor Shametin nga socialistët dhe Korab Litën dhe Adriatik Alimadhin nga opozita e re do të trajtojë çështjen e votës së emigrantëve.

Paralelisht me punën në këto grupe, një grup tjetër ekspertësh janë ngritur për përkthimin e rekomandimeve të OSBE/ODIHR. Ndryshimi i sistemit zgjedhor nuk është pjesë e rekomandimeve të OSBE/ODIHR, por pikërisht këtë ndryshim kërkojnë me ngulm, të paktën deri më tani deputetët e opozitës parlamentare.

Propozimi i mazhorancës është që reforma të kalojë me dy faza. Në fazën e parë, socialistët propozojnë që të diskutohen rekomandimet e OSBE/ODIHR të shprehura në raportet e tre zgjedhjeve të fundit. Si afat për këtë është vendosur fundi i këtij viti. Ndërkohë, për çështjet që kanë më tepër peshë politike, si rishikimi i sistemit zgjedhor, teknologjia në zgjedhje dhe vota e emigrantëve kërkohet më shumë kohë dhe këto tema të lihen për një fazë të dytë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë