Matthew Palmer i ka bërë sërish thirrje palëve politike në Shqipëri të ulen në tryezën e dialogut. Përfaqësuesi special amerikan për Ballkanin Perëndimor, gjatë Forumi botëror Ekonomik me liderët e botës, dhe ata të ballkanit në Davos, ku është i pranishëm edhe kryeministri Edi Rama, tha se në Shqipëri duhet një dialog për të miratuar reformën zgjedhore sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR.
“Do të na pëlqente të shihnim përparim, është e rëndësishme që themelet demokratike të Shqipërisë të jenë të fortë, që zgjedhjet të jenë të lira dhe që populli shqiptar ka lirinë të zgjedhë në mënyrë demokratike. Prandaj do na pëlqente të shihnim një dialog që sjell si rezultat një marrëveshje mbi Reformën Zgjedhore që zbaton rekomandimet e OSBE/OHDIR-it dhe një drejtim që con sërisht drejt normalitetit për demokracinë shqiptare”. tha Palmer.
Palmer përsëriti këtë thirrje, edhe një javë më parë, kur vizitoi Prishtinën. Ai i bëri thirrje udhëheqësve të partive në Shqipëri që të zgjidhin me vullnetin e tyre ngërçin politik, që ai e ka etiketuar “të fabrikuar”.
Një thirrje të veçantë Palmer i ka adresuar opozitës jashtëparlamentare, të cilën e fton ta shfrytëzojë këtë rast për të negociuar me vullnet të mirë Reformën Zgjedhore, që po e kërkon me ngulm. Po ashtu, Palmer e ka joshur opozitën për të qenë faktor konstruktiv duke i thenë se komuniteti ndërkombëtar është i gatshëm të lehtësojë një përpjekje serioze në këtë aspekt
“Dy fjalë edhe për opozitën e Shqiperisë, që është jashtë Kuvendit. Ju mund të luani rolin tuaj, shfrytëzojeni sepse bojkoti nuk ju solli fuqi më të madhe politike. Nuk detyroj dhe nuk mund të detyrojë zgjedhje të parakohëshme. Prandaj shfrytëzojeni mundësinë për ta negociuar në mirëbesim për reformën zgjedhore që synoni. Bashkësia ndërkombëtare është e gatshme t’ju ndihmojë në këtë ndërmarrje serioze. Pastaj të ia prezantoni popullit tuaj të gjithë këto arritje të vërteta për të vendosur në mënyrë demokratike, përmes një procesi të drejtë zgjedhor se në çfarë drejtimi duan të shkojë Shqipëria”, ka qenë adresimi i të dërguarit të posaçëm të DASH, Matthew Palmer, nga Prishtina, gjatë një takimi me studentë dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

Po ashtu, duke folur nga Davosi, për minishengenin ballkanik dhe hapjen e negociatave, Palmet tha se SHBA-të vazhdojnë të jenë të angazhuar në perspektivën europiane të Ballkanit Perëndimor që ka qenë themeli për angazhimin amerikan në rajon për më shumë se 20 vite.
“Kjo nuk ka ndryshuar dhe nuk do të ndryshojë. Kjo është edhe arsyeja pse pamundësia e Këshillit Europian për të gjetur konsensus dhe të fillojë bisedimet për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë ishte kaq zhgënjyese. Kjo nuk është fjala e fundit. Shpresojmë që Këshilli i Europës t’i rikthehet çështjes në mbledhjen e liderëve në maj, në Zagreb, të arrijë konsensusin e duhur dhe të nisë atë proces aq të rëndësishëm duke dërguar sinjalin e rëndësishëm në rajon”, tha Palmer”. “Ndërkohë, ndërsa SHBA avancon drejt Ballkanit Perëndimor dhe Bashkimi Europian konsiderohet deri në një farë niveli nga rajoni si duke u larguar, rajoni vetë po zhvillohet. Angazhimi i Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë të promovojnë bashkëpunimin përmes së ashtu-quajturës nisma e minishengenit është shpresëdhënës, është një tregues që liderët në rajon po marrin përgjegjësi për fatin e tyre, po marrin në dorë të ardhmen e vet. Arkitektura e kësaj nisme ka një skaj të hapur, ka vend për Malin e Zi, Bosnje dhe Hercegovinën, Kosovën. Nisma është premtuese, ka mbështetjen tonë dhe angazhimin tonë për të bashkëpunuar me liderët e Ballkanit Perëndimor për ta çuar përpara”, theksoi ai.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.