Politike

Reforma zgjedhore, Gjiknuri: Në pritje të propozimeve të PD

OSBE ka mbledhur sot tryezën e dytë për reformën zgjedhore në nivel teknik.
Partia Demokratike mori pjesë në këtë tryezë, duke u përfaqësuar sërish me Ivi Kason. Takimi po zhvillohet me dyer të mbyllura.


Bashkëkryetari i Reformës Zgjedhore, Damian Gjiknuri në një prononcim për mediat pas përfundimit të pjesës së parë të diskutimeve u shpreh se qëllimi i saj sot është për të parë përtej fushatës edhe financimin e partive.
“Qëllimi i tryezës është më i gjerë, për të parë përtej fushatës edhe financimin e partive. Ka diskutime nga më të ndryshmet problemet kryesore janë aspekti i raportimit, kufizimet në shuma, por edhe idetë apo kërkesa që kanë ardhur nga institucionet ndërkombëtare edhe për të kufizuar reklamat politike apo edhe për t’i eliminuar ato”, tha Gjiknuri.
Gjimnuri ndër të tjera tha se presin Partinë Demokratike me propozime të shkruara për reformën
“PD e presim të vijë me propozime konkrete në procesin e reformës zgjedhore dhe kur të shohim propozime të shkruara, se deri më tani nuk kemi parë gjë, përveç deklaratave politike, do shprehemi në lidhje me to.
Sa i përket rolit të PD, prezenca e saj në tryezë është e mirëpritur. Unë jam i bindur që ne mund të kemi mundësi ta shfrytëzojmë këtë tryezë për të adresuar edhe çështje të reformimit të partive politike, sepse ajo mund të jetë një gjë që mund të trajtohet jashtë kuadrit të reformës zgjedhore, Pra, legjislacioni i ri për financimin e partive politike do të përfshije edhe partitë kryesore shqiptare që në këtë rast është edhe PD”, përfundoi Gjiknuri.
Partia Demokratike ka deklaruar se nuk e njeh Komisionin e Posaçëm Parlamentar duke kërkuar qe reforma të realizohet nga PS dhe PD me praninë e ndërkombëtareve.
Por ndërkombëtarët nuk e kanë pranuar thirrjen e opozitës, duke kërkuar që të jenë vetë partitë që të arrijnë mirëkuptimin. Në seancën plenare, maxhoranca vendosi të shtyjë afatin e Komisionit të Reformës Zgjedhore deri në fund të muajit shkurt.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë