Lajme

Mosha e pensionit të gjyqtarëve përplas Varshavën me Brukselin

Qeveria konservatore në Poloni vijon me kursin e saj të përplasjes me Brukselin. Të hënën, Komisioni Europian ndërmori veprime konkrete kundër Varshavës, në atë që njihet si raundi i radhës i përplasjes për reformën në drejtësi që synon ekzekutivi polak.

Parlamenti polak ka kaluar një ligj për Gjykatën e Lartë, që ul moshën e daljes në pension të anëtarëve të saj nga 70 në 65 vjeç.

Opozita vendase dhe zyrtarë të lartë të Brukselit thonë se pas këtij vendimi në dukje pa ndikim në sistemin e drejtësisë mazhoranca synon që të kapë këtë institucion, pasi me uljen e moshës më shumë se një e treta e gjyqtarëve të lartë polakë largohen nga detyra.

“Kemi diskutuar për ligjin për Gjykatën e Lartë me Varshavën, por gjatë këtij procesi disa tema nuk janë shteruar plotësisht dhe nuk janë trajtuar në mënyrë të kënaqshme”, tha zëdhënësi i Komisionit Europian, Margaritis Schinas.

Mes Varshavës dhe Brukselit prej muajsh ka patur bisedime për reformat e nisura nga qeveria në sistemin e drejtësisë. Në disa pika është gjetur gjuha e përbashkët, por në shumë të tjera palët kanë qëndrime të ndryshme.

Opozita vendase kërkon nga BE që të ndërhyjë dhe të detyrojë qeverinë që të tërhiqet nga nismat e ndërmarra, që thotë se synojnë kapjen e sistemit. E sipas thirrjeve të opozitës, disa deputetë të Parlamentit Europian kanë kërkuar që të ndërhyhet sa më shpejt.

Komisioni Europian thotë se ligjet minojnë ndarjen dhe pavarësinë e pushteteve, ndërsa Qeveria polake këmbëngul se ndryshimet janë të nevojshme për të luftuar korrupsionin dhe për të përmirësuar sistemin gjyqësor, që sipas saj përndiqet nga fantazmat e epokës komuniste.

Ndoshta Poloninë kanë në mendje mazhoranca në Shqipëri, kur citon raportin e Komisionit Europian, kur rekomandon hapjen e negociatave të anëtarësimit. Komisioni vlerëson reformën në drejtësi dhe sugjeron që i njëjti model të ndiqet nga vendet e tjera të rajonit, por e cilëson të vlefshëm edhe për vende anëtare të BE-së, siç është edhe Polonia.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë