Rend dhe Ligj

Reforma në drejtësi, opozita e re dhe PS ndërhyjnë me 2 ligje të reja

Në kulmin e debatit për mos plotësim të Gjykatës Kushtetuese apo dhe të Gjykatës së Lartë, Parlamenti ka përgatitur dy projektligje që synojnë të ndërhyjnë në sistemin e drejtësisë. Dy nismat e propozuara parashikojnë ndërhyrjen në ligjet “Për organet e qeverisjes vendore së sistemit të drejtësisë” dhe “Për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve në Republikën e Shqipërisë”.

Këto nisma që kërkojnë të prekin reformën në drejtësi janë firmosur edhe nga deputetët e opozitës së re. Janë pikërisht deputetët Rudina Hajdari dhe Myslim Murrizi që së bashku me socialistët Adnor Shametin, Bashkim Finon dhe Alket Hysenin kanë firmosur këto ndryshime ligjore. Të pesë deputetët në relacionin e paraqitur për të dy nismat kanë argumentuar me faktin se ato vijnë nga vendimet e Gjykatës Kushtetuese që rrëzuan një pjesë të neneve të këtyre dy ligjeve, të cilët janë marrë 3 vite më parë, por që mazhoranca i ka lënë në harresë dhe ka sjellë jo pak boshllëqe.
Të pesë deputetët, në relacionin që disponon Gazeta "Si", thonë se propozimi është produkt i diskutimeve të përbashkëta mes ekspertëve të caktuara nga Këshilli për Legjislacionin, ekspertëve të misionit EURALIUS, si dhe të Kuvendit të Shqipërisë.

Deputetja, Rudina Hajdari, duke folur gjatë një seance parlamentare


Pensioni i magjistratëve
Në draftin për ndryshimin e ligjit “Për statusin e gjyqtarëve dhe të prokurorëve” është përcaktuar mosha e daljes në pension të magjistratëve dhe prokurorëve të posaçëm. Neni 5, sipas relacionit që disponon Gazeta "Si", ka si qëllim ndryshimin e nenit 64 të ligjit 96/2016 bazuar në arsyetimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese. Deputetët propozojnë rritjen e moshës së daljes në pension. "Sipas vlerësimit të dhënë në vendimin nr.34/2017, mosha e pensionit te magjistratëve duhet të garantojë sigurinë ligjore dhe duhet të miratohet me shumicë të cilësuar. Bazuar në këtë arsyetim sugjerohet që me këtë ligj të përcaktohet mosha e daljes në pension të magjistratëve", thuhet në relacion.

Projektligji i depozituar në Parlament

"Në këtë aspekt është propozuar që mosha e daljes në pension të magjistratëve të jetë 67 vjeç, e cila merr parasysh edhe legjislacionin në fuqi për sigurimet shoqërore. Rritja e moshës së pensionit është një prirje që vihet re edhe në vendet e tjera të BE. Ndryshimet e propozuara lidhur me paragrafin 4 dhe 5 të nenit 64 synojnë të vendosin rregulla dhe procedura të qarta për përfundimin e mandatit të gjyqtarëve të Gjykatës së Larte kur mbushin moshën e pensionit gjatë ushtrimit të funksioneve si gjyqtarë në Gjykatën e Lartë. Ndryshimet janë në përputhje me nenin 139, paragrafi 2 i Kushtetutës”, thuhet në relacionin e siguruar nga Gazeta "Si".

Në propozimet e paraqitura përcaktohet se mandati i Prokurorit te Zyrës së Prokurorisë së Posaçme, SPAK mbaron në fundin e muajit në të cilin mbush moshën 67 vjeç pavarësisht viteve që ai ka qenë në detyrë në këtë pozicion. Në draft theksohet se statusi i magjistratit mbaron në fund të muajit në të cilin magjistrati mbush moshën 67 vjeç. Këshilli deklaron me vendim mbarimin e statusit të magjistratit jo më vonë se dy jave para fundit të muajit përkatës”. Gjithashtu përcaktohet se vlerësimi i përgjithshëm "shumë mirë" jepet vetëm ne ato raste kur magjistrati vlerësohet "shume mirë" për tri kritere dhe "mirë" për njërin prej tyre. Në çdo rast, kriteret "aftësitë profesionale të gjyqtarit dhe prokurorit" dhe "etika dhe angazhimi ndaj vlerave të gjyqësorit dhe të prokurorisë" duhet të jenë vlerësuar "shumë mire". Magjistratët kanë të drejtë ta ankimojnë vendimin e vlerësimit të Këshillit në Gjykatën e Lartë.

Pesë deputetët firmëtarë


Ndryshimet për KLGJ dhe KLP
Ndryshimet që propozohen nga pesë deputetët për ligjin “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” janë të domosdoshme për mirëfunksionimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë, të cilët gjatë veprimtarisë së tyre po hasin vështirësi për shkak të mungesës së parashikimeve ligjore për mbledhjet plenare të këshillave, që ka sjellë probleme në funksionimin dhe vendimmarrjen e tyre. Gjithashtu, shfuqizimi i disa neneve për shkeljet disiplinore ka cenuar veprimtarinë e Këshillave në drejtim të hetimit dhe të procedimit disiplinor të gjyqtarëve dhe prokurorëve. Kështu janë përcaktuar shkeljet disiplinore gjatë dhe jashtë ushtrimit të funksionit, si dhe për veprat penale. Në propozimin për ndryshimin e nenit 5, sipas amendimeve të siguruara nga Gazeta "Si", përcaktohet se Anëtari i Këshillit të Lartë Gjyqësor kryen shkelje disiplinore, me dashje ose për shkak të pakujdesisë, kur: kryen veprime ose mosveprime, të cilat përbëjnë mos përmbushjen e detyrës, sillet joprofesionalisht ose jo në mënyrë etike gjatë ushtrimit të funksionit ose jashtë zyrës dhe me këtë diskrediton ose dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor, pozitën dhe figurën e anëtarit të Këshillit të Larte Gjyqësor; gjatë ushtrimit të funksionit, nuk i referohet ligjit ose fakteve për shkak të pakujdesisë së rëndë ose me dashje, ose kur ka paaftësi të dukshme profesionale.

Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor


Si shkelje në ushtrim të detyrës cilësohet kur përcaktohet nëse veprimi, mosveprimi ose sjellja e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor konsiderohet shkelje disiplinore për shkak të pakujdesisë ose si një çështje e veprimtarisë profesionale. “Në çdo rast duhet të merren parasysh treguesit e mëposhtëm: shkalla e pakujdesisë; b) shpeshtësia e veprimit ose mosveprimit; dëmtimi ose mundësia e shkaktimit të dëmtimit ose shkalla e pasojave që kanë ardhur ose mund të vijnë nga veprimi ose mosveprimi; si dhe çdo situate që është përtej kontrollit të anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe që mund të lidhet me mos funksionimin e sistemit gjyqësor”, thuhet në nenin 5 të draftit që Gazeta "Si" disponon.
Sa i përket çështjes së caktimit të anëtarëve të Gjykatës së Lartë deputetët propozojnë ndryshimin e ri pas shfuqizimit të realizuar nga vendimi i Gjykatës Kushtetuese. Kështu nuk ka më delegim të kompetencave për komisionet, por detyrat do t’i ushtrojnë Këshilli Lartë Gjyqësor dhe Këshilli i Lartë i Prokurorisë.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj konstaton se kompetencat, si transferimi i gjyqtareve/prokuroreve, vendosja e masave disiplinore ndaj gjyqtareve/prokurorëve të te gjitha niveleve, propozimi Presidentit të Republikës i kandidatëve për gjyqtarë të Gjykatës së Lartë, propozimi Kuvendit i kandidatëve për Prokuror të Përgjithshëm, propozimi dhe administrimi i buxhetit apo dhe miratimi i rregullave të etikes dhe mbikëqyrja e respektimit te saj, të parashikuara shprehimisht nga Kushtetuta, nuk janë parashikuar si kompetenca që ushtrohen respektivisht nga mbledhjet plenare te KLGJ-së dhe KLP-së. Si rrjedhim, Gjykata vlerësoi se të gjitha kompetencat e parashikuara nga Kushtetuta duhet të implementohen si të tilla në ligj dhe nuk mund t 'u delegohen komisioneve. Gjykata thekson se si komisionet e përhershme edhe ato të përkohshme janë organizma ndihmës në varësi të KLGJ-se dhe KLP-se dhe si të tillë nuk mund të ushtrojnë atributet që Kushtetuta ua ka njohur në mënyrë të shprehur këtyre të fundit. Për këtë arsye, në respektim të vlerësimit të GJK, hartimi i ndryshimit të propozuar parashikon së Këshilli i Lartë Gjyqësor i ushtron gjithë të gjitha kompetencat e tij kushtetuese në mbledhjen plenare. “Neni 61 i riformuluar ruan nga neni 61 i mëparshëm instrumentet ligjore (akte nënligjore, individuale etj.) me anë të të cilëve Këshilli i Lartë Gjyqësor ushtron kompetencat e tij thelbësore kushtetuese”, thuhet në propozimin e 5 deputetëve.

Këshilli i Lartë i Prokurorisë

Shkelje të anëtarëve të KLGJ dheKLP
Shkeljet disiplinore jashtë ushtrimit të funksionit janë në veçanti, por nuk kufizohen vetëm në veprimet, mosveprimet dhe sjelljet e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor, si vijon:
Shkelja e rregullave të papajtueshmërisë me funksionin e magjistratit, ose të kufizimeve për shkak të detyrës, sipas parashikimeve të neneve 6 dhe 7 të legjislacionit në fuqi për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve;
Përdorimi i pozicionit të anëtarit të Këshillit për krijimin e përfitimeve të pajustifikuara për veten ose për të tjerët;
Pranimi dhe ushtrimi i detyrave dhe veprimtarive jashtë funksionit, pa marrë miratimin paraprak të parashikuar për këtë qëllim, sipas ligjit;
Shoqërimi me persona që janë nën ndjekje penale ose janë subjekt i procedimeve penale ose me persona të dënuar dhe të parehabilituar, kur nuk kanë lidhje të ngushta gjaku ose krushqie me anëtarin e Këshillit ose vendosja e marrëdhënieve të papërshtatshme të biznesit me këta persona
Përfitimi i drejtpërdrejtë ose i tërthortë i dhuratave, favoreve, premtimeve ose trajtimit preferencial të çfarëdo lloji, të cilat jepen për shkak të funksionit të ushtruar ose për shkak të përdorimit të pozitës si anëtar i Këshillit edhe ne rastin kur formalizohen me një veprim juridik

Raste të tjera të sjelljes që diskrediton pozitën dhe figurën e anëtarit dhe dëmton besimin e publikut në sistemin gjyqësor, të kryera jashtë ushtrimit të detyrës.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë