Lajme

Dështimi i referendumit, Zaev: Maqedonia mund të shkojë në zgjedhje

Dita e dytë më e rëndësishme në historinë e Maqedonisë moderne, filloi, vazhdoi dhe duket se u mbyll pa shumë zhurmë. Pas orësh të tëra “ankthi politik”, Shkupi zyrtar ka mbyllur zyrtarisht qëndrat e votimit, ndërkohë që pjesëmarrja në referendum nuk mori shumicën e nevojshme për të pasqyruar miratimin e qytetarëve mbi ndryshimin e emrit.

Deri në orën 18:30, pjesëmarrja ishte 34.09 përqind, por për të qenë i vlefshëm, referendumi kërkon një shumicë pjesëmarrësish prej 51 për qind. Sipas të dhënave të para të publikuara nga Komisioni Shtetëror i Zgjedhjeve (KSHZ) në faqen e internetit, nga 20 për qind e votave të numeruara, 91,03 për qind janë pro referendumit.

Duke folur në një konferencë për shtyp pas mbylljes së votimit, Kryeministri Zoran Zaev e ka quajtur referendumin e sotëm si të suksesshëm edhe pse pjesëmarrja nuk ka qenë e kënaqshme. Kryeministri deklaroi se ai respekton vullnetin e qytetarëve dhe se çështja do t’i kalojë Kuvendit dhe nëse me deputetët e VMRO-DPMNE-së nuk arrihet një konsensus atëherë vendin e presin zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Vota e qytetarëve, e atyre që votuan, duhet të shndërrohet në vullnet politik në dhomën ligjdhënëse. Vota e deputetëve duhet të jetë një votë për NATO dhe BE, për jetë më të mirë për fëmijët tanë dhe Maqedonisë. Pres që deputetët e VMROP-së të respektojnë vullnetin e qytetarëve. Në të kundërtën nëse nuk ndodh, atëherë duhet të ketë zgjedhje të menjëhershme parlamentare”, ka deklaruar Zaev.

Gjatë orëve të pasdites ka patur një shtim të numrit të votuesve, sidomos në zonat e banuara nga shqiptarët. Bujar Osmani, zëvëndëskryeministri i Maqedonisë, deklaroi se pjesëmarrja mund të arrijë në 45 për qind. Sipas tij mbi pesëqind mijë njerëz kanë votuar pro marrëveshjes me Greqinë dhe kjo i jep legjimitet parlamentit maqedonas të ratifikojë paktin për ndryshimin e emrit

.Partia opozitare VMRO-DPMNE u ka bërë vazhdimisht thirrje qytetarëve maqedonas që të bojkotojnë referendumin, në vend që t’u kërkojë që të votojnë “jo” në mënyrë që partia e tyre të mos radhitet në anën e gabuar të historisë. Opozita ka akuzuar gjithashtu socialdemokratët në pushtet se u kanë bërë presionit njerëzve për të votuar në referendum. Në një konferencë shtypi të mbajtur këtë pasdite, partia opozitare transmetoi një regjistrim audio midis dy personave. Një femër që duket se telefonon nga selia e Social Demokratëve, i kujtoi një qytetari të dyshuar se ai duhet të dilte dhe të votonte. Zëdhënësi i VMRO DPMNE-së, Naum Stoilkovski, këmbënguli se kjo ishte dëshmi e presionit mbi votuesit por vërtetësia e telefonatës nuk është provuar ende.

Por social-demokratët i quajtën pretendimet e opozitës si “lajme të rreme”. “VMRO DPMNE është nervoze, sepse pavarësisht bojkotit të komanduar nga udhëheqja e opozitës, deputetët dhe anëtarët e saj po votojnë,” thanë social-demokratët në një deklaratë për shtyp.

Ndërkohë që qytetarët maqedonas votonin mbi marrëveshjen e arritur me Athinën këtë verë, protestuesit grekë organizuan një tubim të vogël pranë kalimit kufitar të Evzonoit me Maqedoninë, duke shprehur kundërshtimin e tyre ndaj marrëveshjes.

Kryeministri maqedonas Zoran Zaev ishte ndër të parët që hodhi votën e tij në referendumin për ndryshimin e emrit të Maqedonisë, duke u bërë thirrje të gjithë qytetarëve të dilnin dhe të votonin.

Kryeministri Zoran Zaev voton ne referendum

“Unë u kërkoj të gjithë qytetarëve të dalin dhe të marrin një vendim serioz për të ardhmen e vendit tone dhe për gjeneratat e ardhshme”, tha kryeminitri në një prononcim për mediat.

Deri në orën 17:00, pjesëmarrja ishte 28.56 për qind, tha Komisioni Shtetëror. Komunat e Shkupit dhe Karposhit kishin pjesëmarrjen më të lartë. Sipas kreut të Komisionin Zgjedhor, Oliver Derkovski, votimi u zhvillua në një atmosferë demokratike. S

Ministria e Brendshme maqedonase raportoi se gjatë votimit janë regjistruar disa incidente më të vogla, të cilat përfshinin kryesisht fotografimin e paautorizuar të votuesve pranë qendrave të votimit dhe fyerjen e tyre. Këto raste janë regjistruar në kryeqytetin e Shkupit, në qytetet e Tetovës dhe Strumicës dhe në komunën rurale të Bërvenicës. Ministria e  njoftoi se janë paraqitur mbi 13 incidente të izoluara për të cilat janë ndaluar së paku 6 persona. Zëdhënësi i Policisë Toni Angellovski bëri thirrje që të ruhet rendi, qetësia dhe fshehtësia e votimit.

Duke dhënë informacione të detajuara mbi incidentet, Angellovski deklaroi se: Nga hapja e vendvotimeve e deri tani janë regjistruar 4 incidente. Në qendrën e votimit në shkollën fillore Llazo Angellovski në Novo Lisiçe në Shkup, kur K.ZH 23 vjet e ka prishur rendin dhe qetësinë publike duke fyer qytetarë dhe më pas edhe ka sulmuar zyrtarë të policisë. K.ZH është ndalur menjëherë ndërsa tani gjendet në stacionin policor në Aerodrom. Gjithashtu është lajmëruar për një 80 vjeçar në Zubovcë të Gostivarit i cili është fyer në lidhje me referendumin nga 64 vjeçarja S.M. Ajo është thirrur në stacionin policor dhe po punohet në qartësimin e këtij rasti. Kemi një rast edhe në Strugë ku një person ëhstë kapur duke fotografuar votuesit afër shkollës fillore “Vëllezërit Milladinovci”. Menjëherë janë ndërmarrë masa dhe personi është dërguar në stacionin policor të Strugës. Kemi edhe një rast tjetër në Shtip, ku një pjestar i këshillit zgjedhor është fotografuar dhe ofenduar nga E.S.”

Referendumi i 30 shtatorit nuk është sfida e vetme. Pas miratimit të qytetarëve, ligjvënësit maqedonas do të duhet të miratojnë një amendament kushtetues për të pasqyruar ndryshimin e emrit, një proces që është me të vërtetë mjaft kompleks  James Ker-Lindsay, një profesor i Shkollës Ekonomike të Londrës vuri në dukje se ndonëse ndryshimi i emrit ka mbështetjen e Zaevit, kryeministrit maqedonas dhe partisë së tij, Lidhjes Social Demokrate, ai kundërshtohet nga partia nacionaliste e opozitës, VMRO-DPMNE. Duke qënë se ka vetëm 68 vende në parlament, bashkë me BDI-në e Ali Ahmetit, partia e Zaevit do të ketë nevojë për mbështetjen e së paku 12 deputetëve të tjerë për të patur shumicën që nevojitet për miratimin e ndryshimeve.  

Ky referendum është konsultativ, prandaj rezultati i tij nuk është i detyrueshëm. Qeveria e kryeministrit Zaev ka sugjeruar se mund të përpiqet të ratifikojë marrëveshjen në parlament. Ndoshta atij do t’i duhet të shpallë zgjedhje të përgjithshme për të rritur shumicën e tij parlamentare, por kjo do të destabilizonte edhe më tej situatën në Maqedoni.


Copyright © Gazeta “Si”



Më Shumë