Lajme

Referendumi, DASH: Kuvendi të mos e lëshojë mundësinë historike

Departamenti Amerikan i Shtetit ka përshëndetur rezultatet e referendumit të mbajtur një ditë më parë në Maqedoni për çështjen e ndryshimit të emrit, sipas marrëveshjes me Greqinë.

DASH i bën thirrje Kuvendit të përkrahë implementimin e plotë të marrëveshjes së Prespës në Kuvend.

“SHBA përshëndesin rezultatin nga referendumi i 30 shtatorit në Maqedoni, ku qytetarët shprehën përkrahje për anëtarësim në NATO dhe BE me pranimin e marrëveshjes së Prespës midis Maqedonisë dhe Greqisë. SHBA fuqishëm mbështesin implementimin e plotë të Marrëveshjes së Prespës, e cila do të mundësojë vendin e merituar në NATO dhe BE dhe do të kontribuojë për stabilitetin rajonal, sigurinë dhe prosperitetin. Tani kur Kuvendi i Maqedonisë do të debatojë për ndryshimet kushtetuese, i bëjmë thirrje liderëve që të ngrihen mbi politikat partiake dhe të mos e lëshojnë këtë mundësi historike për të siguruar të ardhme më të ndritur për vendin, si vend anëtare e barabartë në institucionet ndërkombëtare”, thuhet në komunikatën e DASH.

Ndërkohë, Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, ka shprehur në një postim në “Twitter” edhe një herë mbështetjen e aleancës veri-atlantike për Maqedoninë duke theksuar se dyert e NATO-s mbeten të hapura, ndërsa kërkoi angazhim nga liderët politikë për të arritur këtë qëllim.

“E mirëpres votën ‘për’, në Maqedoni. Kërkoj nga të gjithë liderët dhe partitë politike te angazhohen në mënyrë konstruktive dhe me përgjegjësi të kapin këtë shans historik. Dera e NATO-a është e hapur, por fillimisht të gjitha procedurat nacionale duhet të kryhen”, ka theksuar Stoltenberg.

Komisioneri për Zgjerim dhe Fqinjësi të mirë i Bashkimit Europian, Johannes Hahn, ka vlerësuar pozitivisht votën “për” në referendum dhe si shumë të rëndësishme për marrëveshjen me Greqinë.

“Uroj ata që kanë votuar në referendumin konsultues. Me votën ‘për’ i është dhënë mbështetje e gjerë Marrëveshjes së Prespës dhe të ardhmes euroatlantike të Maqedonisë”, ka shkruar Hahn në “Twitter”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë