Kosova

Reciprociteti i targave/ Lista Serbe i kërkon Vuçiç të reagojë, mbledhje urgjente në Beograd

Pas lëvizjes të qeverisë së Kosovës për të vendosur reciprocitetit ndaj Serbisë sa i përket targave të automjeteve, presidenti Aleksandër Vuçiç ka thirrur një mbledhje urgjente të Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Serbisë.

Sipas, “Novostit”, temë kryesore e mbledhjes do të jenë ngjarjet në Kosovë. Mëngjesin e sotëm, Njësitë e Specializuara të Policisë së Kosovës janë pozicionuar në pikën kufitare Kosovë – Serbi, në Jarinje.

Reciprociteti ka shkaktuar reagimin e qytetarëve serbë, të cilët kanë dalë në protestë duke bllokuar rrugën

Dhjetëra autoblinda të Policisë së Kosovës janë pozicionuar atje për ta siguruar zbatimin e vendimit më të fundit të Qeverisë së Kosovës.

Sipas informacioneve të fundit, aktualisht ka rreth 300 automjete serbe në Jarinje dhe më shumë se 100 në Brnjak. "Të dy korsitë e trafikut janë të bllokuara dhe trafiku është i bllokuar," thotë Lista Serbe në një reagim, duke shtuar se konsultimet urgjente të anëtarëve të Listës Serbe u mbajtën këtë mëngjes.

Drejtuesit e Listës Serbe u shfaqën në mëngjes në Jarinje për t'u dhënë mbështetje serbëve, të cilët nuk pranonin vendimin.

Kryetari i Listës Serbe i bëri thirrje Presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçic të ndihmojë serbët dhe të reagojë kundër këtij vendimi.

"Unë i bëj thirrje të gjithë atyre që janë ndaluar të përmbahen, dhe gjithashtu Prishtinës të mos ngrejë tensione. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë për njerëzit, të cilët janë të shqetësuar se si të sigurojnë bukë për fëmijët e tyre. Ne gjithashtu informuam të Dërguarin Special Miroslav Lajçak dhe kërkuam ndihmën e BE. Dhe unë i bëj thirrje Presidentit Vuçiç, të reagojë, "tha Goran Rakic.

Asnjë veturë që niset nga Serbia drejt Kosovës, nuk mund të kalojë në pikat kufitare, pa u pajisur me targat e përkohshme të Republikës së Kosovës.

Vendimi për këtë është nënshkruar sot, nga ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

Ndërkaq tashmë kanë nisur të hyjnë veturat e para nga Serbia në Kosovës, të cilave nëpër pikat kufitare po iu vendosen tabelat e përkohshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë