Kroati Ante Rebiç është “heroi” i Milanit, që ka mundur me shumë vështirësi Udinezen në “San Siro”, 3-2. Në minutën e tretë shtesë, Rebiç realizoi golin e fitores, pasi kishte shënuar pak minuta pas futjes në fushë në pjesën e dytë edhe golin e parë për kuqezinjtë. Realizoi në këtë fitore edhe Teo Hernandez, lojtari më në formë i Milanit, që me dy fitoret e fundit i afrohet zonës europiane.
Milani mban vendin e tetë, me 28 pikë, po aq sa ka edhe Parma që ndeshet në mbrëmje me Juventusin, ndërkohë që vendi i 6-të, që të çon në Ligën e Europës, është 2 pikë larg. Kuqezinjtë duket se kanë ndryshuar dhe po rriten gradualisht, por mbetet për t’u parë se sa stabilitet do të kenë. Blerjet e reja, si Ibrahimoviç, ashtu edhe Kjaer, ishin titullarë në këtë ndeshje.
Interi i vendit të dytë është ndalur në barazim, 1-1, në fushën e Leçes. Skuadra e trajnerit Antonio Konte i kishte mundësitë të fitonte, pasi gjeti golin me të riun Bastoni në minutën e 72-të, por vetëm pas 5 minutash Mankosu barazoi. Ishte një ndeshje pa shkëlqim e Interit, që është dukur pa ide në këtë transfertë, duke zhvilluar një lojë me shumë gabime, sidomos në mesfushë. Juventusi tashmë ka shansin e “arratisjes”, pasi një fitore e mundshme me Parmën do ta çonte në 4 diferencën e pikëve.
Marash Kumbulla, mbrojtësi i Kombëtares, luajti vetëm 25 minuta në barazimin 1-1 të Veronës në fushën e Bolonjës, pasi pësoi një dëmtim dhe u zëvendësua. Po ashtu, edhe Emanuele Ndoj ishte titullar me Breshian, duke luajtur 45 minuta në barazimin 2-2 me Kaljarin.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.