Futboll

Reali e ka zgjedhur “9”-n e re, në sulm për norvegjezin Haland

Nuk është Pol Pogba objektivi numër 1 i Realit për sezonin e ardhshëm. Pas fjalëve të agjentit Mino Raiola se do të çonte një lojtar të madh te madrilenët, u mendua se do të ishte mesfushori francez, por sipas të përditshmes spanjolle “Marca”, dëshira e madhe e merkatos është një “9” e re, që të alternohet me Karim Benzema.

Dhe identikiti i sulmuesit të ri është ai i Erling Haland. “Xhevahiri” i Borusia Dortmundit ka një klauzolë prej 75 milionë eurosh të vlefshme që nga viti 2022. Presidenti Florentino Perez gjithsesi duhet të ulet në tavolinën e bisedimeve me drejtuesit e klubit gjerman për t’i bindur ata për transferimin.

Sulmuesi i Borusia Dortmund, Erling Haland. Gazeta Si, 24 mars 2020

Që kur u largua Kristiano Ronaldo, te Reali ende nuk e kanë gjetur një shok reparti apo zëvendësues të Karim Benzema, kontributi i të cilit është gjithmonë e më i çmuar, por këtë vit ai mbush 33 vjeç. Vitin e parë post-CR7 ishte Mariano Diaz që dështoi dhe tani, pasi është kthyer në bazë pas 6 muajsh huazim, nuk e ka bindur trajnerin Zinedin Zidan.

Verën e kaluar ishte radha e serbit Luka Joviç, për të cilin Reali fitoi një konkurrencë të fortë dhe e bleu për 60 milionë euro. Një mal me para të hedhura dëm, duke parë rendimentin e lojtarit që ka përfunduar në telashe, sepse u kthye në Serbi në momentin e kulmit të pandemisë së Koronavirusit. Napoli ka treguar një farë interesi për ta blerë nga Reali mund t’i përdorë të ardhurat nga shitja e tij për t’i shpenzuar te Borusia Dortmund.

Për fenomenin norvegjez, Erling Haland, interesohet prej kohësh edhe Juventusi, por klubi italian nuk e ka urgjente dhe duket se ka në plan të presë deri në 2022-shin, kur të hyjë në fuqi klauzola e 75 milionë eurove.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë