Futboll

Real Madrid zyrtarizon largimin e Benzema: Një nga legjendat tona më të mëdha!

Gazeta Si – Me një njoftim në profilet e veta zyrtare, klubi spanjoll ka përshëndetur sulmuesin francez, duke e konsideruar si një nga legjendat më të mëdha. Benzema është shënuesi i dytë më i mirë në historinë e Realit.

Real Madrid dhe Karim Benzema ndahen zyrtarisht. "Real Madrid dhe kapiteni ynë Karim Benzema kanë rënë dakord që t’i japin fund fazës brilante të tij si lojtari ynë. Real Madrid shpreh mirënjohjen dhe vlerësimin për atë që është një nga legjendat më të mëdha të klubit", - shkruhet në komunikatë.

Në të ardhmen e ‘Topit të Artë’ në fuqi mund të jetë Arabia Saudite, ku Al-Itihad ka bërë një ofertë prej 200 milionë eurosh në vit. Akordi është arritur dhe njoftimi zyrtar pritet të bëhet javën e ardhshme.

‘Karim Benzema erdhi në klubin tonë në 2009-ën, 21 vjeç, dhe ka qenë lojtar thelbësor në këtë periudhë të artë të historisë sonë. Në 14 vjet me fanellën tonë ka fituar 25 trofe, një numër rekord për Real Madridin: 5 Kupa Kampionësh, 5 botërorë klubesh, 4 Superkupa të Europës, 4 tituj kampion në Spanjë, 3 Kupa Mbreti dhe 4 Superkupa spanjolle”, - vazhdon komunikata e klubit madrilen.

Karim Benzema është lojtari i 5-të me më shumë ndeshje me fanellën e Realit, 647 ndeshje, dhe shënuesi i dytë më i mirë, me 353 gola.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë