Futboll

Real Madrid kundër koronavirusit, mesazh për Kinën në fanellë

Futbolli ka diçka të jashtëzakonshme në vetvete. Përveç magjisë në fushë, mund të bëjë diçka edhe jashtë saj, mund të inkurajojë sadopak ata njerëz dhe ato vende që kanë nevojë. Real Madrid, një nga klubet më të mëdhenj në botë, ka vendosur të solidarizohet me popullin kinez. Për një ndeshje, siç bën me dije “AS”, madrilenët do të heqin sponsorët nga fanella për të shkruar nj mesazh inkurajimi në gjuhën kineze.

Mesazhi i kushtohet qytetit kinez të Wuhan, që po kalon një situatë dramatike pas epidemisë së Koronavirusit. Këtë fanellë Reali do ta mbajë ndeshjen me Selta Vigon. Klubi spanjoll ka mbështetës në gjithë botën, edhe në Kinë, ndaj është treguar i ndjeshëm ndaj situatës së fundit që ka frikësuar gjithë planetin. Në gjuhën kineze do të shkruhet “Forca, Kina” mbi fanellat, me të cilat lojtarët do të zbresin në fushë.

Virusi i Koronavirusit ka frikësuar së fundi edhe vendet e Europës. Vdekja e turistes kineze të sëmurë rëndë në Francë e ka rritur edhe më shumë ndjenjën e frikës. Në Spanjë, një nga efektet e fundit të alarmit nga Koronavirusi ishte anulimi i “Mobile World Congress” të Barcelonës. Edhe pse Reali nuk mund të bëjë asgjë për ta zgjidhur problemin, mesazhi në fanellë duket një iniciativë e bukur për t’u solidarizuar me gjithë njerëzit që janë vënë në vështirësi nga kjo epidemi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë