Futboll

Real Madrid ‘all in’ për Mbape, PSG i hap rrugën shitjes për 250 milionë euro

Gazeta Si – Transferimi i mundshëm i Kilian Mbape te Real Madrid po bëhet telenovela kryesore e merkatos së verës. Sulmuesi ka hedhur poshtë çdo mundësi rinovimi me PSG-në dhe pavarësisht se ka siguruar se do të respektojë kontratën deri në qershor të 2024-ës, lëvizja mund të kryhet që këtë verë.

Reali e ka marrë shumë seriozisht, për presidentin Florentino Perez lojtari i datëlindjes '98 është një obsesion, e sheh si të vetmin që mund ta zëvendësojë Benzema. Mediet spanjolle shkruajnë se Perez është gati të bëjë gjithçka për ta pasur Mbape në Madrid që tani, pa pritur vitin e ardhshëm.

Kilian Mbape. Gazeta Si, 24 qershor 2023

Fakt është që në Katar nuk e kanë pritur mirë refuzimin e rinovimit nga Mbape dhe tashmë pronarët kanë dhënë miratimin për shitjen e sulmuesit, sepse nuk duan që ai të largohet me parametra zero pas një viti. Klubi parisien kërkon 200 milionë euro menjëherë, plus 50 milionë nga bonuset, nëse lojtari fiton “Topin e Artë”.

‘El Chiringuito’ shkon edhe më tej, duke fiksuar 23 korrikun si datën e prezantimit të mundshëm të Kilian Mbape në ‘Santago Bernabeu’.

Diçka po lëviz. Për të mbyllur tratativa të këtij niveli me siguri do të duhen javë, por nëse lojtari dhe dy klubet shkojnë në të njëjtin drejtim, siç duket se po ndodh, shanset që kjo histori të mbyllet me një fund të lumtur janë rritur shumë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë