Lajme

Real, Juve, Bayern dhe United fitojnë pa probleme, ngec City

Me shuma gola, spektakël dhe surpriza të shumta, kështu është mbyllur edhe mbrëmja e dytë e javës së parë të Champions League në fazën e grupeve. Nuk kanë munguar surprizat në këtë mbrëmje të dytë, ku pa dyshim, më e madhja konsiderohet humbja e Manchester City në shtëpi me Lyon, por edhe kartoni i kuq i Ronaldo nuk pritej. Sakaq pretendentët e tjerë, Real Madrid, Manchester United, Juventus, Bayern dhe Ajax kanë fituar, duke marrë tre pikët e para për këtë edicion të këtij kompeticioni.

Ishte një rikthim i denjë për “harkëtarët” holandez, të Ajax që kanë marrë një fitore bindëse 3-0 përballë grekëve të AEK në “Johan Cruyff Arena”. Sakaq sfida tjetër e luajtur në ora 18:55 është mbyllur në barazim. Shakhtar Donetsk dhe Hoffenheim janë ndalur në barazim 2-2, duke marrë nga një pikë.

Ndërkohë në përballjet e mbrëmjes kemi parë spektakël dhe gola pa fund. Bayern Munich ka fituar në shifrat 0 me 2 përballë portugezëve të Benfica, duke  koleksionuar kështu tre pikët e para për këtë sezon. Nuk kanë hasur probleme as kampionët në fuqi të Real Madrid. “Los Blancos” mposhtën në shifrat 3-0 Romën, duke marrë tre pikët bindshëm dhe mbi të gjitha me një lojë të bukur.

Edhe Manchester United nuk ka hasur në asnjë pengesë serioze në Zvicër me modestët e Young Boys. Skuadra e Mourinho ka triumfuar me rezultatin e thellë 0 me 3 dhe e nis kështu mbarë këtë edicion të Ligës së Kampionëve. Nuk ka shkuar në të njëjtën mënyrë mbrëmja për skuadrën tjetër të Manchesterit, që është mposhtur në shtëpinë e saj nga Lyon. Skuadra e Guardiolës ishte shumë larg asaj që kemi parë në sezonin e shkuar, duke humbur në shifrat 1-2 në shtëpinë e saj.

Në Valencia u luajt një nga ndeshjet më të bukura të kësaj mbrëmje. Italianët e Juventus edhe pse pa lojtarin më të mirë në fushë, Ronaldo, ia kanë dalë të marrin një fitore shumë të rëndësishëm. Sulmuesi portugez doli me karton të kuq në pjesën e parë për një gjest anti-sportiv. Gjithsesi torinezët ia kanë dalë ta mbajnë ndeshjen nën kontroll duke triumfuar me rezultatin 0-2.

Sakaq sfida në Çeki mes Vitoria Plzen dhe CSKA Moscow është mbyllur në barazim me rezultatin 2-2.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë