Futboll

Reagon FSHF: Trillim dhe shantazh, nuk kemi llogari të bllokuara!

Federata Shqiptare e Futbollit ka reaguar me një komunikatë zyrtare në lidhje me shkrimin e publikuar sot në të përditshmen “Panorama Sport” se llogaritë bankare të këtij institucioni janë të bllokuara nga Përmbarimi, për shkak të dyshimeve të disa transaksioneve, që kanë të bëjnë me kalimin e fondeve të UEFA-s për klubin e Tiranës.

FSHF hedh poshtë gjithçka, duke bërë me dije se e gjitha kjo situatë është e pavrtetë, është një trillim, apo edhe shantazh.

Armand Duka, president i FSHF-se. Gazeta Si, 24 nentor 2021

Mes të tjerash, në reagimin e FSHF-së shkruhet:
Federata Shqiptare e Futbollit sqaron opinionin publik dhe mediat në lidhje me një trillim të fabrikuar sot në gazetën “Panorama Sport”. Në këtë artikull, ku predominon shantazhi dhe që përbaltja shitet si profesionalizëm, thuhet se FSHF-ja gjendet në kolaps financiar, me rrogat që kalojnë me vështirësi prej muajsh, se llogaritë bankare janë të bllokuara, apo paratë që vijnë nga UEFA për klubet kalojnë në llogari të dyshimta.

FSHF informon se në artikullin e publikuar sot nuk ka asnjë të vërtetë të vetme! Llogaritë e FSHF-së në bankat e nivelit të dytë në vend nuk janë të bllokuara dhe kjo mund të vërtetohet lehtësisht nga kushdo.

Në të njëjtën kohë dëshirojmë të saktësojmë se në marrëdhëniet e Federatës me anëtarët e saj, në asnjë rast të vetëm, nuk ka pasur transfertë bankare në llogari private apo të dyshimtë. Çdo transfertë bankare është kryer në llogaritë zyrtare të klubeve. Institucioni i futbollit në vend është ndër të paktat që të gjithë veprimtarinë financiare e kryen nëpërmjet sistemit bankar, duke qenë transparent dhe duke paguar çdo detyrim ndaj autoriteteve shtetërore.

Federata nuk ka asnjë konflikt apo detyrim ndaj asnjë Zyre Përmbarimore në Republikën e Shqipërisë dhe aq më pak të ketë ndonjë kolaps financiar siç pretendohet në fletërrufenë e sotme. Në asnjë moment nuk ka mbërritur një kërkesë për informacion. Ky do duhej të ishte minimumi në respekt të gazetarisë.

Federata është e përkushtuar për të vijuar misionin e saj për përmirësimin dhe rritjen e futbollit shqiptar. Nuk kemi kohë për të humbur me shpifje dhe tentativa gjobëvënëse nga individë apo media që kanë interesa okulte. Federata është e detyruar t’u drejtohet organeve të drejtësisë për t’i dhënë fund këtyre praktikave përlbaltëse, ku nuk mbahet përgjegjësi për dëmin që i shkaktohet institucionit dhe futbollit shqiptar”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë